Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar dje një telefonatë më shumë se dy orëshe me homologun rus Vladimir Putin, ku siç raportuan mediat ndërkombëtare fokusi ka qenë mundësia e një armëpushimi në luftën e Ukrainës.
Mirëpo, gjatë një konference në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se Putin kishte përmendur edhe Zonjën e Parë.
“Putini sapo tha, ata rusët e respektojnë shumë gruan tënde”, u shpreh Trump. Kur presidenti amerikan e ka pyetur “Po mua?”, ai tha se Putini ishte përgjigjur, “Ata e pëlqejnë më shumë Melanian”.
Ai përmendi gjithashtu se kaloi dy orë e gjysmë duke folur me Putinin për çështje serioze.
Trump vuri në dukje se ishte bërë përparim në diskutimet e tyre, megjithatë me turmën vendosi të ndante këtë moment qesharak që është pasqyruar në të gjitha mediat ndërkombëtare.
Nga Kopshti i Trëndafilave, presidenti amerikan firmosi Aktin “Take It Down”, për ndalimin e shpërndarjes apo përdorimit të imazheve të personave pa pëlqimin e tyre.
Donald Trump mori një moment për të falënderuar Zonjën e Parë Melania Trump për udhëheqjen e saj në çështjet kritike, duke lavdëruar përkushtimin dhe dhembshurinë e saj.
Ai theksoi përpjekjet e saj në sigurimin e 25 milionë dollarëve për të siguruar strehim dhe mbështetje për të rinjtë që po largohen nga kujdesi familjar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e lejoi bashkëshorten e tij, Melania, të nënshkruante të hënën një legjislacion për të ndaluar pornografinë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale me fytyra të njerëzve të vërtetë.