Nga Aladin Stafa
Dëshira për ndryshim shfaqet absurde në një botë ku ngjarjet dhe ndodhitë ndjekin njëra-tjetrën në një cikël që përsërit veten, për t‘u rikthyer sërish atje ku nis, në pikën zero. Perceptimi i gabuar në histori se figura të ndryshme sjellin risi dhe inovacion ende mban lidhur njerëzimin kur cilido nuk njeh historinë me korridoret e saj. Në të gjitha ngjarjet e botës asgjë nuk ndodh befasisht dhe aq më shumë rastësisht. Ajo cfarë përbën ndryshimin janë grupet e interesit të përfshira në to.
Shqipëria përjetoi këto ditë një ngjarje (jo të pazakontë) në historinë e parlamentarizmit të saj. Më 11 maj, ditën e dielë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në vend, të cilat shënuan zgjedhjet e 11-ta parlamentare në historinë e pluralizmit shqiptar. Pas protestave të studentëve të dhjetorit që shënuan fundin e regjimit komunist, morën jetë menjëherë zgjedhjet e para pluraliste.
Një një sistem mazhoritar dhe në një Kuvend me 250 deputetë, në zgjedhjet e ’91, Partia e Punës arriti të fitojë 169 mandate, kundrejt vetëm 75 që mori PD e Sali Berishës.
Sot pas më shumë se 34 vitesh panorama në Kuvend ka ndryshuar. Numri i kandidatëve por dhe sistemi mbi bazën e të cilit këto zgjedhje kryhen. Një përqindje e madhe e popullatës u investuan fizikisht dhe profesionalisht, gjithsecili duke kontribuar në këtë atmosferë që shumë pak nuk i përfshin. Një vëmendje të shtuar mori edhe diaspora, ku për herë të parë u bë pjesë e garës elektorale në mënyrë direkte duke dhënë verdiktin e saj.
E sikurse e do zakoni fjala kyce ka qenë ‘ndryshimi‘ nga të gjithë aktorët përkatës në arenën politike. Dëgjuam agenda, vizione apo dhe premtime (këto të fundit më së shumti jo krejt të arsyeshme dhe të argumentuara), të marra si të mirëqëna për hir të qëllimit. Një qëllim që ka justifikuar plotësisht mjetin.
Numri i alternativave ishte relativisht i kënaqshëm aq sa mund të themi se cdo individ mund të ndihej sadopak i përfaqsuar rreth qasjes së tij.
Një tablo që ofroi jo vetëm një rezultat të pritshëm-por ashtu sikurse kryeministri hungarez Viktor Orban e përcaktoi në urimin e tij drejtuar KM Rama – një fitore thellësisht dërrmuese.
Por sa ’dërrmuese’ do të jetë kjo fitore për Shqipërinë?
Mandati i fituar do të jetë i katërti për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, një histori që përsëritet pak në historinë e zgjedhjeve europiane, përjashto rastin e kancelares Angela Merkel në vitin 2017, i katërti dhe i fundit për të, ky mandat i socialistëve duket se ka bërë bashkë të kaluarën tonë historike padyshim ashtu sikurse dhe të ardhmen me simbolikën e passaportës europiane, futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Skepticizmi post-zgjedhor, analizat e rezultatit, dështimi opozitar dhe suksesi i kahut tjetër nuk mungojnë por duket se kësaj here llogoret janë krejt bosh. E biletat janë prerë.
Mos vallë ka një lodhje në popull?
Dekada e fundit ka qenë përsëritëse në këtë aspekt duke sjellë një djerrje të shoqërisë në frymë e aksion. E si pasojë fjala shpresë që rrënjët i ka te ndryshimi, mbetet vecse një sofizëm. Sepse ndryshimi nuk ka sesi të ndodhë nëse aktorët pjesmarrës janë të parët që nuk e mbartin këtë qëllim, e sikurse ata, votën masive popullore e legjitimon tërësisht ky sistem.
Shqiptarët kanë votuar gjithnjë me ‘frymë‘, edhe për shkak të rrethanave historike, larg një vote të thelluar tek një manifest politik. Por asesi që mos ta ketë të qëlluar e shenjuar atje ku duhet- duke treguar jo vetëm intuitë politike por dhe lidhjen e ngushtë që kanë me të, ndryshe nga shumë shoqëri në Europën Perëndimore aty ku luftojmë prej vitesh të aderohemi.
Pas rezultatit të së dielës kuptuam që ndërrimi i pushtetit mbetet një iluzion. Populli e legjitimoi atë dhe Shqipëria pritet të zgjohet nën të njëjtin agim si cdo herë.
Po tani?
Nëse historia politike e Shqipërise shfaqet më së shumti ciklike, kjo s’do të thotë se ajo mbetet e pashpresë. Edhe në Athinën e lashtë, atje ku demokracia lindi mes tensioneve, luftrave apo dhe interesave të ngushta, qytetari asnjëherë nuk u përjashtua — përkundrazi, ai u vendos në qendër. “Qytetari që nuk merr pjesë në çështjet publike, nuk është vetëm pasiv, por i padobishëm,” thoshin athinasit.
Sot, ndoshta më shume se kurrë, pjesmarrja nuk është garanci për ndryshim të menjëhershëm por është parakusht për vetëdije. Është ajo që ruan shpresën e një të nesërmeje ndryshe, pse jo dhe me një lider që rishpik veten sa herë t’i duhet. Sepse, ndryshe nga e kaluara jonë e komunizmit, tani nuk rrimë më të heshtur. Ndaj dhe kjo, në vetvete, mbetet një pikë nga ku historia nuk ndodh të kthehet më në pikën Zero.