Kushëriri i ish kryebashkiakut Elvis Roshi, Elton Roshi, i cili kandidoi nën siglën e PD-AShM për deputet në Qarkun Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, i ka kërkuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve vënien në dispozicion të pamjeve filmike për të gjitha Qendrat e Numërimit të Votave (QNV), përkatëse për çdo Komision Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) në Qarkun Tiranë, përjashtuar KZAZ-të që i përkasin bashkive Rrogozhinë dhe Kavajë.
Në kërkesën e Elton Roshit thuhet se kjo kërkesë ka për qëllim shqyrtimin e mëtejshëm të materialeve vizuale të procesit të numërimit të votave, me synim garantimin e transparencës dhe integritetit zgjedhor, si dhe ndjekjen e çdo elementi që mund të përbëjë bazë për ankimim të mundshëm.