Natyra njerëzore shkon në jo pak raste jo vetëm në ekstremitete fizike me aventura që u rrezikojnë jetën, por edhe në ‘sporte’ që shkojnë deri në kufijtë e çmendurisë.

I ngjashëm është rasti i evidentuar në qytetin e Elbasanit. Një 32-vjeçar është marrë nën akuzë nga Policia, pasi dyshohet për keqtrajtim të kafshëve shtëpiake, një qeni dhe një maceje.

Ai i ka përdorur dy kafshët për ndeshje, duke i filmuar dhe hedhur postimin në rrjetet sociale, nën dyshimin për të marrë sa më shumë klikime dhe përfituar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për A. Gj., 32 vjeç, pasi ka promovuar në rrjete sociale, një ndeshje ndërmjet 2 kafshëve shtëpiake (qen dhe mace)”, bëri me dije policia vendore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.