Elon Musk u shfaq me një mavijosje të dukshme mbi syrin e djathtë gjatë konferencës së tij të lamtumirës për shtyp me Donald Trump në Zyrën Ovale. Biznesmeni miliarder u zbuloi gazetarëve se djali i tij 5-vjeçar, i quajtur “X”, ishte ai që shkaktoi mavijosjen.
“Nuk ka asgjë si një grusht në fytyrë i një 5-vjeçari” – tha ai në mënyrën e tij karakteristike. Kur presidenti amerikan u pyet për mavijosjen, ai deklaroi se nuk e kishte vënë re, edhe pse ajo ishte më se e dukshme.
“I thashë, “Hajde, më godit në fytyrë”, dhe ai e bëri”, – u tha Musk gazetarëve. Natyrisht, pavarësisht sqarimit mediat sociale u mbushën me komente nga njerëz që pyesnin veten se çfarë i ndodhi miliarderit.
Takimi ndodhi vetëm disa orë pas publikimit të një lajmi në New York Times se Musk dyshohet se përdori një kombinim drogash gjatë fushatës zgjedhore. Ai i mohoi kategorikisht këto lajme duke nisur sulmet ndaj gazetës. Trump deklaroi se “askush nuk mund t’i besojë gazetës NY Times”.
Gjatë ceremonisë së lamtumirës, Trump e falënderoi Musk për mandatin e tij në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), i cili zgjati 5 muaj. Trump i dorëzoi simbolikisht një çelës të madh, duke njohur kontributin e miliarderit në uljen e shpenzimeve publike.
Vetë Musk tha se largimi i tij “nuk është fundi i DOGE”, ekipi i të cilit do të “forcohet gjithnjë e më shumë” dhe, me kalimin e kohës, do të arrijë qëllimin e kursimit të 1 trilion dollarëve. Ai siguroi gjithashtu se do të vazhdojë të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe do të mbetet një mik dhe këshilltar i Trump.
Presidenti amerikan tha se njeriu më i pasur në planet kishte sjellë “ndryshime kolosale” në Uashington dhe dënoi “sulmet, shpifjet dhe gënjeshtrat e shëmtuara” kundër tij.