Vizita e parë e një kryeministri britanik në Shqipëri solli edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme për mbrojtjen.
Në prani të kryeministri Edi Rama dhe homologut të tij Sir Keir Starmer, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ambasadori britanik Nicholas Abbott nënshkruan marrëveshjen për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Por çfarë përmban “Deklarata e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial”?
– Kjo deklaratë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve dhe synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
– Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes kësaj marrëveshjeje shprehin vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në fushën e prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes, investimeve dhe marrëdhënieve industriale, me synim rritjen e sigurisë kombëtare dhe nxitjen e inovacionit teknologjik duke zhvilluar partneritete me prodhues britanikë për prodhimin e mjeteve ushtarake dhe kapaciteteve të tjera, përfshirë mbrojtjen ajrore tokësore dhe sistemet kundër dronëve.
– Po ashtu, përmes kësaj marrëveshjeje, palët shprehin interesin për të eksploruar mundësitë për eksporte të përbashkëta të pajisjeve të mbrojtjes drejt vendeve të treta, me interes strategjik dhe krijuar baza për trajnime të përbashkëta dhe bashkëpunim ndërmjet forcave të armatosura të të dy vendeve.
– Kjo marrëveshje nuk përbën një angazhim financiar apo ligjërisht detyrues për asnjërën palë, por vendos themelet për bashkëpunime të mëtejshme përmes marrëveshjeve të posaçme, në përputhje me legjislacionin përkatës dhe angazhimet ndërkombëtare.
-Ky zhvillim konfirmon angazhimin e Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për një partneritet të fortë në fushën e Mbrojtjes, për stabilitet rajonal dhe siguri ndërkombëtare.
Starmer: Epokë e re për Europën
Kryeministri i Britanisë së Madhe, sir Keir Starmer, e komentoi marrëveshjen gjatë një vizite në Qendrën e Inovacionit dhe Muzeut të Forcave të Armatosura.
Ai u shpreh i kënaqur për arritjen e saj, ndërsa shtoi se për Europën po vjen një epokë e re sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes.
“Jam vërtet i kënaqur që në kontekstin më të gjerë sot, kemi arritur një marrëveshje për të përmirësuar punën që bëjmë si dy vende për sigurinë dhe mbrojtjen, duke përfshirë prodhimin dhe prokurimin, sepse mendoj se kjo është një epokë e re për Europën. Kjo është një epokë e re për sigurinë dhe mbrojtjen, ku ne lidhemi me aleatët tanë edhe më fort”, u shpreh Starmer.