Ish-portieri i Lazios, Etrit Berisha ka komentuar në një intervistë për ‘TuttoMercatoWeb’ lajmet për kalimin e Igli Tares te Milani, duke theksuar se drejtuesi shqiptar është njeriu i duhur për të udhëhequr një projekt të madh si ai kuqezi.
Berisha, i cili u transferua te Lazio në vitin 2013 pikërisht me ndërhyrjen e Tares, nuk ka dyshime për cilësitë dhe vizionin e ‘Bjondit’ si drejtor sportiv.
“Ai është një fitues. Fitoi shumë me Lazion dhe mos harrojmë që në vitin 2019 ishin shumë pranë fitimit të titullit. Nëse ai shkon te Milani, jam i sigurt që do të japë një kontribut të madh”, u shpreh portieri shqiptar.
Duke folur për emrat e mëdhenj që Tare ka sjellë gjatë kohës së tij te Lazio, Berisha përmendi disa nga transferimet më të suksesshme.
“Që nga ardhja ime kanë mbërritur shumë lojtarë cilësorë. Felipe Anderson, De Vrij, Milinkovic-Savic, Immobile… këta janë disa që më vijnë ndërmend menjëherë. Po ashtu, një lojtar shumë i mirë që nuk arriti të shfaqej sa duhej ishte Ravel Morrison”, tha ai.
Berisha vlerësoi edhe stilin e menaxhimit të Tares, duke e përshkruar si një drejtues me karakter dhe aftësi të rralla në ndërtimin e një skuadre konkurruese, sidomos përmes lëvizjeve të zgjuara në merkato.
“Ai është gjithmonë pranë ekipit, jeton me të. Ka personalitet të fortë dhe nuk i trembet të thotë gjërat siç janë kur dikush nuk është në nivelin e duhur. Di të zgjedhë rrugën që duhet ndjekur dhe fjalët e duhura për ta përmirësuar një grup”, përfundoi Berisha.
Me përvojën dhe sukseset e tij te Lazio, Igli Tareka gjetur akordin dhe të hënën pritet të prezantohet si drejtori sportiv i Milanit për tre vitet që vijnë.