Tiranë/Romë -Një operacion i përbashkët i autoriteteve italiane dhe shqiptare, me mbështetjen e Eurojust, ka çuar në shpërbërjen e tre grupeve të mëdha kriminale që bashkëpunonin në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Si rezultat i një dite të koordinuar aksioni, janë lëshuar 52 urdhër-arreste për persona të dyshuar si pjesëtarë dhe drejtues të niveleve më të larta të këtyre organizatave kriminale.

Operacioni i përbashkët është zhvilluar në të dy vendet, ku janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro, përfshirë apartamente, kompani, automjete luksoze, sasi të konsiderueshme parash cash, si dhe lëndë narkotike kokainë dhe heroinë. Autoritetet po kryejnë një vlerësim të plotë të sendeve të sekuestruara në ditët në vijim.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Ekipi i Përbashkët Hetimor (JIT), grupet kriminale dyshohet se kanë trafikuar mbi 1 800 kilogramë kokainë dhe heroinë, ndërsa pagesat ndërmjet tyre kanë arritur vlerën e rreth 5 milionë eurove, kryesisht në para të gatshme.

Hetimet nisën që në vitin 2016, nga Prokuroria e Barit në Itali dhe SPAK në Shqipëri, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare. Në Shqipëri, një prej grupeve kriminale me bazë në Durrës kishte rolin e transportuesit dhe shpërndarësit me shumicë të lëndëve narkotike – kokainë, heroinë dhe kanabis – që trafikonin nga Ballkani drejt Evropës Veriore, Amerikës Latine dhe rajonit të Pulias në Itali.

Ndërkohë, dy grupet italiane përqendroheshin në përpunimin dhe paketimin e drogës, duke furnizuar me kokainë dhe heroinë rrjetet lokale të shpërndarjes në qytetet Bari, Brindisi dhe Lecce. Lidhjet e tyre arrinin deri në Amerikën Latine dhe Turqi.

Operacioni i fundit është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë përmes JIT-it, ku janë përdorur interceptime telefonike, survejim intensiv me kamera, ndjekje fizike dhe analizë e komunikimeve të koduara në aplikacione të sigurisë së lartë. Zbërthimi i këtyre bisedave është bërë i mundur falë bashkëpunimit teknik të Eurojust.

Që prej vitit 2020, Eurojust ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme autoritetet gjyqësore të të dy vendeve me koordinim ndërkufitar, ekzekutim të kërkesave për ndihmë juridike dhe asistencë logjistike gjatë operacioneve. Shqipëria është ndër 12 vendet jashtë Bashkimit Evropian që ka një Prokuror Ndërlidhës në Eurojust.

Në fakt, bashkëpunimi gjyqësor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë ka dhënë rezultate të rëndësishme edhe më parë. Vetëm ndërmjet viteve 2018 dhe 2021, Drejtoria e Hetimit Antimafia në Bari ka lëshuar dhe zbatuar 118 urdhër-arreste ndaj trafikantëve të dyshuar në të dy vendet, ku shumë prej tyre janë dënuar deri në 20 vite burg.