Thonë se koha i shëron të gjitha. Pas zhgënjimeve, ndarjeve apo sfidave të jetës, besojmë se me kalimin e kohës gjithçka gjen vendin e vet. Dhe në shumicën e rasteve, kjo është e vërtetë – edhe plagët që dikur dukeshin të pashërueshme, me kohë zbehen.
Një dëshmi e kësaj është edhe aktorja e njohur shqiptare Elia Zaharia, e cila pas ndarjes së shumë përfolur nga Princ Leka, duket se ka gjetur qetësinë dhe balancën e saj të brendshme. E ftuar në emisionin “Rudina”, Elia nuk dha shumë detaje rreth ndarjes, por ndau reflektime të sinqerta për atë që ka përjetuar dhe mësimet që ka marrë.
“Do ta përmbledh me një fjalë, Rudina: dimensionin e faljes. Kjo për mua nuk ka çmim,” – u shpreh Elia, duke theksuar se edhe pse kjo periudhë ka qenë e vështirë, ajo ka qenë gjithashtu thellësisht ndriçuese për jetën e saj.
Ajo ndau gjithashtu rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur familja në këtë rrugëtim të vështirë. “Prindërit e mi nuk janë thjesht familja ime, por miqtë e mi më të ngushtë. Me ta mund të ndaj gjithçka. Dhe mendoj: ‘O Zot, duhet t’i falënderojmë dhe t’i duam sa janë pranë nesh’,” – tha ajo me emocion të ndjerë.
Moderatorja Rudina Magjistari vlerësoi përkushtimin e Elia-s për të ruajtur harmoninë për hir të vajzës së tyre. Ajo theksoi se edhe pse një marrëdhënie përfundon, ndjenjat dhe kujdesi i ndërsjellë nuk zhduken – ato vetëm transformohen.
Elia konfirmoi këtë qasje me fjalët:
“Dua që vajza ime të rritet në një ambient të mbushur me dashuri dhe qetësi shpirtërore. Është e vetmja gjë që ka rëndësi për mua.”
Pavarësisht sfidave dhe turbulencave mediatike që pasuan ndarjen e tyre, të dy po përpiqen të ruajnë një marrëdhënie të ekuilibruar për mirëqenien e fëmijës së tyre.
Kujtojmë se Elia Zaharia dhe Princ Leka njoftuan zyrtarisht përfundimin e martesës në janar të vitit të kaluar. Ndonëse fillimisht ndarja u komunikua si një vendim i qetë dhe i menduar, më vonë u publikuan pamje që tregonin një përplasje fizike mes çiftit, duke bërë që ngjarja të përflitej gjerësisht në media.
Pas një viti procesi gjyqësor, Gjykata e Tiranës e shpalli Princ Lekën fajtor për dhunë në familje, duke e dënuar me 8 muaj burg, i cili u konvertua në 16 muaj shërbim prove. Elia u shpall e pafajshme.
Sot, Elia Zaharia ka zgjedhur një rrugë të re – atë të paqes, qetësisë dhe përkushtimit ndaj vajzës së saj, duke dëshmuar se falja është shpesh më e fuqishme se çdo ndarje.