Fatos Lubonja ishte i ftuar në News 24 për të folur për ecurinë e fushatës zgjedhore të 11 majit.

Lubonja theksoi se vota e diasporës do jetë faktori kyç në këto zgjedhje.

Ai tha se Rama do i vjedhë këto vota, por nuk dha ndonjë provë apo fakt.

“Vota e diasporës do jetë faktor kyç në fitoren e mazhorancës. Edhe duke analizuar sondazhet, mundet që Edi Rama, sado kudo brenda vendit e ka më të vështirë se në 2021. Mendoj unë.

Goditjen do ta bëjë me diasporën. Manipulimin më të madh do e bëjnë atje. Pa dyshim do ketë skenar kontestimi të zgjedhjeve.

Kjo periudhë e fundit e nxjerr qartazi drejtësinë të kontrolluar nga mazhoranca. Sjellja e tyre për të parandaluar krimin zgjedhor mungon”, tha ai.

Lubonja tha se gjithë partitë duhet të ishin bashkuar me Sali Berishën, me qëllim që të mundin Ramën.

“Partitë e vogla, do duhet të kishin prioritet së bashku me PD, një ristrukturim të këtij sistemi. Në kuptimin bazik të demokracisë. Luftën kundër partisë shtet.

Kanë qëndruar të baraslarguar nga dy partitë kryesore, por kjo mund të qëndronte në një situatë ku nuk ka një parti shtet. Në një situatë ku rotacioni është i garantuar.

Rama duke kontrolluar gjithçka nuk lë dot hapësirë”, tha ai.