Në prag të finales së shumëpritur të Champions League në Mynih, atmosfera mes tifozëve të Interit është elektrizuese. Juxhin Rama, drejtues i Inter Club Albania, fan-klubit të organizuar shqiptar të Interit, ndodhet në qendër të qytetit gjerman, pranë fan zonës së ekipit zikaltër, ku qindra tifozë nga e gjithë bota janë mbledhur për të përjetuar magjinë e finales.
“Jam në qendër të Mynihut, pranë fan zonës së Interit. Atmosfera është super. Të gjithë po presim me padurim nisjen e ndeshjes,” tha ai në një lidhje të drejtpërdrejtë në Report Tv.
Edhe pse nuk do ta ndjekë ndeshjen në këtë zonë, për shkak se nuk transmetohet aty gjatë lojës, ai do të zhvendoset në Olympiapark, ku do të ketë mundësi ta ndjekë sfidën në një mjedis më të përshtatshëm.
Sa i përket përballjes së sotme, Juxhin shprehu besim dhe shpresë për një rezultat pozitiv për Interin, duke theksuar se ndryshe nga finalja e vitit 2023 kundër Manchester City-t, këtë herë skuadra zikaltër vjen me më shumë vetëbesim.
“Këtë herë kemi më shumë besim. Nuk jemi favoritë absolutë, por jemi aty-aty me kundërshtarin. Mendoj se është një ndeshje shumë e ekuilibruar dhe shpresoj për më të mirën.”
Ai foli gjithashtu për përvojën e mëparshme në stadiumin ikonik të Mynihut, ku Interi mposhti Bayernin në çerekfinale.
“Është një nga stadiumet më të bukura që kam qenë ndonjëherë. Kush ka mundësi, duhet ta vizitojë patjetër.”
Përfaqësuesi i Inter Club Albania konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen e gjerë të tifozëve shqiptarë në Mynih, përfshirë anëtarët e fan klubit dhe emigrantët që jetojnë në qytet.
“Në stadium kemi mbi njëzet anëtarë, ndërsa në Mynih janë ndoshta njëqind deri në dyqind veta, edhe më shumë me të gjithë tifozët që kanë ardhur ose jetojnë këtu.”
I pyetur për pritshmëritë, ai tha: “Ndjesitë janë të mira, pritshmëritë të larta. Shpresojmë për më të mirën. Champions League është një kompeticion ku mund të ndodhë gjithçka.”
Interi përballet me PSG-në në një finale që pritet të jetë emocionuese dhe shumë e ekuilibruar. Tifozët shqiptarë të Interit, të shumtë në Mynih, janë gati të përjetojnë një tjetër natë historike në Evropë.