Edhe në këto zgjedhje parlamentare, Partia Demokratike ka fituar Bashkinë e Kavajës. Pas fitores, një reagim ka ardhur nga Hysen Kadiu, i cili doli i pari në listën e Primareve të Tiranës, por u tërhoq nga gara për kandidat për deputet në listën e hapur. Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Kadiu shkruan se Kavaja tregoi edhe njëherë se përballë çdo vështirësie, triumfon dëshira dhe vullneti i demokratëve për ndryshim. Por nuk i kurseu as “thumbat” për kryedemokratin Sali Berisha.
“Kavaja tregoi edhe një herë se, përballë çdo vështirësie, triumfon dëshira dhe vullneti i demokratëve për ndryshim. Përballë çdo padrejtësie të kundërshtarit dhe jo vetëm, kavajasit vulosën me votën e tyre fitoren e PD-së. Puna dhe angazhimi i demokratëve të Kavajës dëshmuan se, përballë vështirësive të regjimit dhe lojërave meskine të atyre që u dhurohen vende në listën e sigurt, fitimtarë dalin ata që punojnë me seriozitet dhe përkushtim, pa u përfshirë në lojërat e pushtetit dhe duke u përqendruar te nevoja që kanë qytetarët për ndryshim. Krenar për Kavajën dhe qytetarët e saj, ata që treguan sot e gjithmonë se demokracia triumfon në qytetin ku nisi lëvizja për ndryshimin e madh të viteve ’90. Një dëshirë dhe vullnet që nuk e ndal dot askush,”- shkruan Kadiu.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Fisnik Qosja, nga Partia Demokratike, është shprehur në A2 CNN se ky është një rezultat i pritshëm për opozitën.
“Është një rezultat shumë i mirë dhe përgëzoj çdo qytetar që na ka besuar, por edhe strukturat e PD-së. Edhe procesi i votimit dhe tashmë numërimi është duke shkuar shumë mirë. Kavaja është në habitatin e vet, në të djathtën, aty ku e ka origjinën. Pavarësisht se e gjithë Shqipëria nuk na ndjek, por ne nuk dorëzohemi dhe do të ecim përpara. Ne do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë për të mirën e Kavajës. Ne tregojmë identitetin tonë. Besoj se PD do të arrijë në 60 përqind të votave në Kavajë,”- tha Qosja.
Partia Demokratike ka siguruar 10626 vota nga 95 Qendra Votimi në të gjithë Bashkinë e Kavajës, ndërsa socialistët kanë marrë 7727 vota.