Shkencëtarët kanë regjistruar dridhje sizmike në fitoren e Liverpool 5-1 kundër Tottenham të dielën e kaluar, e cila riktheu pas pesë vitesh titullin kampion në “Anfield”. Festimet e tifozëve pas golit të Alexis Mac Allister shkaktuan dridhje me magnitudë maksimale prej 1.74 ballë të shkallës Rihter.
Studiues nga departamenti i shkencave të Tokës, oqeanit dhe mjedisit në Universitetin e Liverpulit ishin në vendngjarje të dielën e kaluar për të matur lëvizjen e tokës nga tifozët gjatë gjithë ndeshjes kur skuadra e Liverpool fitoi 5-1 dhe mori titullin e Premier League për sezonin 2024-25.

Duke përdorur pajisje sizmike të teknologjisë së fundit, të njëjtin lloj instrumentesh të përdorura për të monitoruar rajone të prirura ndaj tërmeteve si Kili dhe Italia, shkencëtarët kapën lëvizjet e tokës të shkaktuara nga festimet.
Të dhënat zbuluan se tifozët prej 60,415 personash gjeneruan një aktivitet të vërtetë sizmik, veçanërisht pas gjashtë golave të shënuar gjatë ndeshjes.
Dridhja më e fortë u shkaktua pas golit të Alexis Mac Allister në minutën e 24-t, i cili e çoi Liverpoolin në epërsi 2-1. Ajo regjistroi një magnitudë maksimale prej 1.74 ballë sipas shkallës Rihter.
Lëkundja e dytë më e fortë, me magnitudë 1.60, u regjistrua kur Salah shënoi (4-1). Goli i Gakpo (3-1) ishte 1.03 ballë, autogoli i Udogie (5-1) ishte 1.35 ballë, ndërsa goli i Luis Diaz nuk e emocionoi shumë Anfieldin; magnitudë 0.64.
Doktor Farnaz Kamranzad, i cili mori pjesë në studim komentoi: “Është e mahnitshme të shohësh se si tifozët e futbollit mund të gjenerojnë energji sizmike. Shkenca është kudo, madje edhe e fshehur nën zhurmën e një goli në ‘Anfield’. Çdo duartrokitje, çdo festë, lë një gjurmë nën këmbët tona, një gjurmë sizmike gëzimi kolektiv, e shkruar në kujtesën e Tokës…”.