Futbolli shpeshherë është i lidhur me disa ngjarje ciklike, të cilat për tifozë të ndryshëm shërben si ogur i mirë, apo i keq për skuadrën të cilën mbështetin. Dhe fitorja e Totenhemit në Ligën e Europës këtë të mërkurë ndaj Mançester Junajtid, do të interpretohet si një ogur i keq nga tifozët e Interit që besojnë në gjëra të tilla.

Rezulton se në çdo vit të mëparshëm që Totenhemi ka fituar Ligën e Europës (Kupën UEFA më përpara), një skuadër italiane ka humbur finalen e Ligës së Kampioneve në atë edicion.

Në vitin 1972, Totenhemi fitoi për herë të parë Kupën UEFA dhe në atë vit në finale ishin Interi me Ajaksin, duke u mundur nga holandezët. Në vitin 1984, Totenhemi fitoi për herën e dytë trofeun dhe në atë vit, Roma u mund në finale me penallti përballë Liverpulit.

Kësisoj, fitorja e mbrëmshme e Totenhemit ka pse të shqetësojë të gjithë ata tifozë të Interit që besojnë në ngjarje të tilla ciklike që sjellin fat të mbarë apo të keq për një ndeshje të veçantë.