TIRANË– Pas fitores bindëse të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri i vendit Edi Rama ka njoftuar se do t’u drejtohet mbështetësve pasditen e kësaj të mërkure me një fjalim në sheshin “Skënderbej”, në orën 19:00.
Kryeministri ka ndarë një foto në rrjetin e tij social “Facebook”, me mbishkrimin “Faleminderit”.

Duke mos e e fshehur aspak entuziazmin për triumfin historik të siguruar në këto zgjedhje, kryesocialisti thekson se nuk po arrin dot të gjejë fjalët me të cilat do t’u drejtohet qytetarëve në mbrëmje.

“MIRËMËNGJES 🇦🇱 dhe duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falenderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka siguruar deri tani 83 mandate, ndërsa procesi i numërimit për votën e Diasporës nuk ka përfunduar ende.