Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të kontaktojnë me shërbimin postar DHL në shtetin ku ndodhen, nëse nuk kanë marrë ende njoftim apo mesazh për dorëzimin e zarfit me fletën e votimit nga KQZ. Në një postim në rrjetet sociale, pas denoncimit të Partisë Demokratike, Celibashi shkruan se problemet e hasura deri tani vijnë kryesisht për shkak të adresave të deklaruara në PER që nuk përputhen me adresat aktuale të banimit. Një tjetër problem është edhe fakti që zgjedhësit kanë si kontakt numra shqiptarë, të cilët nuk janë më funksionalë për shumë zgjedhës jashtë vendit.
Postimi:

NJOFTIM ME SHUMË RËNDËSI PËR ZGJEDHËSIT NGA JASHTË!
Shpërndajeni për miqtë dhe të afërmit tuaj.
Të gjithë ata zgjedhës nga jashtë, kudo në botë, por veçanërisht ata në Greqi, të cilët deri më sot nuk kanë marrë njoftim dhe/ose nuk janë kontaktuar nga DHL, qoftë nëpërmjet e-mailit apo nëpërmjet SMS-it, janë të lutur të kontaktojnë me shërbimin e DHL në vendin ku jetojnë, për t’u informuar mbi dërgesën postare nga KQZ.
Mungesa e njoftimit apo e kontaktimit të këtyre zgjedhësve deri tani nga DHL është kryesisht për shkak të problemeve me adresën e banimit të deklaruar në PER, e cila nuk përputhet me adresën aktuale në terren, ose për shkak të përdorimit të numrave të kontaktit shqiptarë, ku zgjedhësi nuk ka akses.
Procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit tek zgjedhësit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë nuk po kalon pa probleme. Së fundmi ka qenë kryetari i Partisë Demokratike në Athinë, Alfred Fizi, i cili ka publikuar foto ku shihen fletët e votimit të hedhura në trotuar. Fizi pretendon se nuk dihet kush i merr e kush i dorëzon ato.