Nga Hermes Kafexhiu/

Dorëheqja befas e gjyqtares Elsa Toska në shtator 2023 nuk ishte thjesht një humbje për Gjykatën Kushtetuese, por shenjë paralajmëruese e një krize që po rrëmben themelet e rendit kushtetues. Në çdo vend ku funksionon shteti i së drejtës, një vakancë e tillë do të ishte trajtuar me përgjegjësi dhe shpejtësi, duke respektuar afatet e mandateve dhe skemën e ripërtëritjes së trupit gjykues.

Por në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese zgjodhi heshtjen dhe pasivitetin. Ajo nuk dha një interpretim të qartë dhe të prerë lidhur me mandatet e pasuesve të anëtarëve që duhet të zëvendësoheshin deri në vitin 2025, duke krijuar kështu një terren të përshtatshëm për zvarritje dhe paqartësi. Vendimi i saj për të trajtuar kërkesën e presidentit si një “çështje gjyqësore”, dhe jo si një interpretim kushtetues të detyrueshëm, ishte jo vetëm një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë, por edhe një goditje direkte ndaj funksionimit të drejtë të institucioneve.

Në rastin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejta, kjo mungesë transparence dhe vendosmërie u pasua me një ngërç të thellë, që solli ndërhyrjen e presidentit si organi i emërtesës. Por ndërsa institucioni i presidencës kërkonte të bënte detyrën, Gjykata Kushtetuese zgjedhi të përfshihej në lojën e vonesave, duke dëmtuar rëndë besimin publik dhe legjitimitetin e vet.
Jo vetëm kaq: me heshtjen dhe mosveprimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Përgjegjësia për zvarritje nuk është më thjesht një problem procedural, por është kthyer në një faktor destabilizues që dëmton themelet e shtetit ligjor. Çdo vonesë dhe çdo përpjekje për të relativizuar mandatet në vend që t’i zbatojë me saktësi, është goditje e drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe parimit të ndarjes së pushteteve.

Në këtë situatë, Gjykata Kushtetuese nuk është më arbitri që vendos drejtësinë mbi bazën e Kushtetutës, por palë në lojën e manipulimit me mandatin dhe funksionimin e saj. Kjo sjellje e pandershme është ngjarja më shqetësuese në funksionimin institucional të vendit dhe e shtyn Shqipërinë larg nga parimet bazë të demokracisë kushtetuese.

Në fund të ditës, nëse Gjykata Kushtetuese nuk ka guximin të interpretojë qartë dhe të vendosë mbi mandatet që i përkasin vetë, si mund të kërkojmë që ajo të garantojë drejtësi për qytetarët? Ky është provimi real për integritetin dhe pavarësinë e saj.

Është koha që Gjykata Kushtetuese të dalë nga ky ngërç i vullnetshëm, të ushtrojë rolin që i takon dhe të japë një sinjal të fortë se Kushtetuta nuk është lojë për t’u shtyrë sipas interesave apo pasigurisë institucionale. Përndryshe, kjo krizë do të vazhdojë të helmojë çdo aspekt të sistemit drejtësor dhe të shkatërrojë besimin në shtetin e së drejtës./Lexo.al