Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ndoqi sot nga afër procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e Akademisë së Arteve në Tiranë.
Në një prononcim për mediet, Gonzato theksoi rëndësinë kyçe që këto zgjedhje kanë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Gonzato tha se “kemi ardhur për të parë se si ka filluar procesi zgjedhore dhe natyrisht do të vëzhgojmë procesin jo vetëm në Tiranë, por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë. Ishte shumë e rëndësishme jo vetëm për mua, por edhe për kolegët e mi të shteteve anëtare të BE-së që ne të shikonim se si po ecnin zgjedhjet dhe ta shikonim personalisht duke vizituar qendra votimi”.
“Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Këto janë zgjedhjet e para që organizohen në Shqipëri pas procesit të negociatave që janë çelur me Bashkimin Evropian. Ju e dini që negociatat janë çelur së pari me grup-kapitullin e parë, që ka të bëjë me atë që ne e quajmë ‘Themeloret’, që lidhet me sundimin e ligjit, standardet demokratike dhe ecuria e zgjedhjeve ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike dhe që respektimi dhe plotësimi i tyre të jetë i plotë”, theksoi Gonzato.
Ambasadori Gonzato u shpreh se “procesi i zgjedhjeve nuk është vetëm dita e votimit, por gjithçka ka të bëjë me zgjedhjet si përpara edhe pas. Por edhe për pjesët e tjera kemi misionin e OSBE-ODHIR, që kanë vëzhguesit e tyre dhe do të mbështetemi tek gjetjet dhe rekomandimet e tyre”.
Gonzato iu drejtua me një mesazh qytetarëve shqiptarë.
“Dilni dhe votoni sepse vota juaj është e shumë e rëndësishme për demokracinë, por edhe për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj drejt Bashkimit Evropian”, tha Gonzato.