Real Madrid ka njoftuar lamtumirën e trajnerit Carlo Ancelotti. Italiani lë “Galaktikët” pas katër vitesh, pasi në epokën e dytë si madrilen u ul në stol në vitin 2021. Ai është bërë trajneri që ka fituar më shumë trofe me Real Madrid, 15 të tillë.
Carlo Ancelotti e ka udhëhequr Realin përmes një prej periudhave më të suksesshme në historinë 123-vjeçare të klubit dhe është bërë trajneri me më shumë tituj në historinë e Real Madrid: 3 Kupa Evropiane, 3 Kupa Botërore për Klube, 3 Superkupa Evropiane, 2 tituj La Liga, 2 tituj Copa del Rey dhe 2 Superkupa Spanjolle. Në total, 15 tituj gjatë gjashtë sezoneve që ai ka qenë pjesë e madrilenëve.
Për presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, Carlo është pjesë e familjes.
“Carlo Ancelotti tani është përgjithmonë pjesë e familjes së madhe të Real Madridit. Jemi krenarë që kemi pasur një trajner që na ka ndihmuar të arrijmë kaq shumë suksese dhe që gjithashtu ka përfaqësuar vlerat e klubit tonë në një mënyrë shembullore”, tha ai.
Nesër, ‘Santiago Bernabeu’ do t’i bëjë atij përshëndetjen finale në atë që do të jetë ndeshja e fundit e Carlo Ancelottit si trajner i Real Madridit. Më pas 65-vjeçari do fokusohet në punën e re, atë të drejtimit për herë të parë të një kombëtareje, atë të Brazilit. Ky zyrtarizim vjen vetëm pak orë pasi Real Madrid njoftoi edhe largimin e Luka Modric.