Nga Eduard Zaloshnja

Në rang republike, përkrahja e këtushme (pa diasporën) për partitë përbërëse të Aleancës për Shqipërinë Madhështore u tkurr me pothuaj -250 mijë vota, krahasuar me vitin 2021. Por teksa në qarqe periferike dhe zona rurale edhe mund të justifikohet pjesërisht tkurrja (me emigrimin e vazhdueshëm të zgjedhësve, etj. etj.), a mund të shpjegohet dot në territorin e Bashkisë Tiranë, ku 90% e popullsisë është urbane dhe ajo vetëm shtohet çdo vit falë nivelit të lartë të kërkesës për punonjës në kryeqytet?

Konkretisht, në territorin e Bashkisë Tiranë, votat e këtushme (pa diasporën) të partive përbërëse të Aleancës për Shqipërinë Madhështore shënuan një rënie me pothuaj -50 mijë (në krahasim me vitin 2021). Edhe PS-ja pësoi një rënie në kryeqytet (-18 mijë), por kjo rënie nuk ndikoi shumë, ngaqë PS-ja kishte marrë mbi 226 mijë vota para katër vjetësh në territorin e Bashkisë Tiranë. (Partitë e vogla i mbushën pjesërisht gropat e parive të mëdha, dhe kështu deficiti i votave të vleshme në territorin e Bashkisë Tiranë zbriti në vetëm -33 mijë gjithsej.)

Në bashkitë periferike të qarkut Tiranë (Kamëz, Vorë, Rogozhinë, Kavajë), gropa e Aleancës për Shqipërinë Madhështore ishte relativisht më e butë (shihni tabelën më poshtë), por fokusi mbetet në kryeqytet, ku zgjedhjet për kryebashkiakun e rradhës do të jenë në mendjen e publikut të paktën deri më 2027.

Gropa madhështore e Aleancës për Shqipërinë Madhështore në territorin e Bashkisë Tiranë duket ogur jo i mirë për të në zgjedhjet bashkiake të rradhës. Kur në bashkinë që ka popullsinë më të arsimuar, punësuar e pronësuar, Aleanca Madhështore ka krijuar një gropë elektorale 50-mijë-votëshe, fare pak shpresa mund të ketë ajo që t’i fitojë zgjedhjet për kryebashkiak…