Pak javë më parë, një vendim i Departamentit të Thesarit të SHBA për t’i hequr sanksionet shefit të kabinetit të ministrit të Jashtëm hungarez u prit me entuziazëm nga mbështetësit e Presidentit Trump në Evropë.
Antal Rogán, shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm hungarez, u sanksionua nga Departamenti i Thesarit në janar të këtij viti, vetëm disa ditë përpara se i dërguari i Joe Biden të largohej nga Budapesti. Vendimi u shpall nga Pressman, i cili akuzoi zyrtarin e lartë hungarez për korrupsion të rëndë. Si pasojë e sanksioneve, Rogán iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Heqja e sanksioneve ndaj tij u përshëndet nga Orbán dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Hungari. Ky vendim i ri u pasqyrua edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit.
Ndërkohë, në një zhvillim të ngjashëm, Sali Berisha në Tiranë pretendoi sot se ndaj tij dhe familjes së tij janë hequr sanksionet “non grata” të marra nga Departamenti i Shtetit. Berisha iu referua statusit të një gazetari amerikan që shkroi në platformën X se kishte pyetur në Departamentin e Shtetit dhe i kishin thënë se kryetari i PD mund të udhëtonte në SHBA.
Përtej entuziazmit të opozitës në Shqipëri, në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit ndodhet ende vendimi i Antony Blinken që shpall Sali Berishën dhe familjen e tij “non grata.”
Ndërsa në rastin e zyrtarit hungarez, heqja e sanksioneve është e pasqyruar në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit, pyetja që lind është: pse nuk e heq Departamenti i Shtetit nga faqja zyrtare vendimin për Sali Berishën?/VNA.al
