Pasi humbi garën e fortë me kolegen Olta Xhaçka, Blerina Gjylamenti ka falenderuar mbështetësit për besimin që i dhanë. Në një reagim në rrjete sociale, Gjylameti shprehet se në këtë garë nuk ka humbës, ndërsa shton se të gjithë kanë fituar vëzhdimësinë e rrugës evropiane të vendit.
“Të dashur miq, familjarë dhe mbështetës të mi në garën e 11 majit. Kam një përqafim të madh për secilin prej jush — dhe s’jeni pak, 6148 zemra! Të gjithë ju që më besuat gjënë më të çmuar që një qytetar ka: votën. Kudo që ishit — në Njësinë 4, në të gjithë qarkun e Tiranës, dhe mbi të gjitha ju që votuat nga diaspora — dua t’ju them faleminderit.
Çdo votë, çdo shprehje besimi, është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë. Në këtë garë nuk ka humbës — ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër. Të gjithë kemi fituar vazhdimësinë në rrugën drejt së ardhmes europiane.”, shprehet Gjylameti.
Gjylameti thotë se rezultati që mori e bën krenare.
“Unë personalisht kam fituar zemrat tuaja, respektin tuaj, mbështetjen tuaj, dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse. 11 maji për mua ishte një fitore e një lloji tjetër: një përvojë e vlefshme, një garë sfiduese dhe një rezultat që më mbush me krenari. Faleminderit secilit prej jush.
Faleminderit ekipit tim të palodhur, familjes sime të duruar, dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, për besimin dhe përkrahjen. Sidomos në këto ditë të lodhshme e sfiduese, të mbushura me emocione, ne – më mirë se kushdo tjetër – e kuptojmë sa e vështirë është të mbash bashkë një familje të madhe si Partia Socialiste.”, shton Gjylameti.
Sipas saj, PS është forca që i duhet vendit në këtë moment historik.
“Beteja jonë vazhdon. Për angazhimet që kjo forcë politike ka marrë. Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për jetët tona. Mirënjohëse. Këto zgjedhje, kjo garë, më kanë dhënë vetëdijen e plotë pse jam në politikë, pse në PS, dhe bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik. Zgjedhjet mbaruan. Sovrani foli. Politika për njerëzit vazhdon.”, përfundon ajo.
Kujtojmë që një ditë ditë më parë, Gjylameti dhe disa kandidatë të tjerë të PS e PD i kërkuan KQZ-së që t’u vendosë në dispozicio pamjet filmike të numërimit të votave preferenciale. Më herët gjatë ditës së sotme, kandidatët socialistë Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia u tërhoqën nga kërkesat e tyre, pas thirrjes së kryesocialistit Edi Rama që të mbeten një skuadër deri në fund.