Nga Skënder Minxhozi

Orët e para të të hënës kanë sjellë turma të mëdha entuziaste në rrugët e Bukureshtit me flamuj rumunë dhe ato të Bashkimit Evropian në duar. Kryetari i bashkisë së Bukureshtit Nikoshur Dan, një politikan centrist dhe proeuropian ka triumfuar me tetë pikë diferencë ndaj kundërshtarit të tij Xhorxh Simion në garën për poltronin e presidentit. Simion, një nacionalist i ashpër dhe euroskeptik i bindur u mundua të fitojë betejën duke kopjuar fushatën amerikane të Donald Trump dhe duke u akuzuar në mënyrë të përsëritur si i afërt me Vladimir Putin.

E gjitha kjo perspektivë e zymtë ka rënë pas fitores së Dan dhe forcave properëndimore që i ngritën lart kuotat e tij elektorale pas raundit të parë të votimeve. Zgjedhjet rumune ishin vetëm testi politik i radhës në një Europë të futur në kaos nga lufta në Ukrainë, qëndrimi ndaj Rusisë dhe pozicionimi ndaj linjës së re politike e tregëtare të Donald Trump në SHBA. Më parë në këtë test brenda kontinentit e kishte kaluar Gjermania, ku e djathta proeuropiane e Friedrich Merz kishte mundur të ndalë valën elektorale të AFD të ekstremit të djathtë.

Këto dy procese elektorale nuk janë të vetmet të mbajtura nën një klimë presioni që vjen nga pasojat e epokës së re ku kanë hyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Donald Trump, e që përzihet me një listë të gjatë krizash sociale, kulturore apo identitare brenda kkontinentit të vjetër. Europa e sotme ka vite që e vuan praninë e Trump në zyrën më të rëndësishme të botës, një marrëdhënie e vështirë që ka nisur qysh në mandatin e parë të Trump në vitin 2016.

Vetëm një javë para zgjedhjeve të shkurtit në Gjermani, zv.presidenti amerikan J.D Vance mbajti një fjalim në Mynih, ku ai sulmoi me terma të ashpër të gjitha demokracitë evropiane, politikat ekonomike e sociale të BE dhe politikën e saj të jashtme. Fjala e J.D Vance kishte si sfond sulmet e ethshme të manjatit miliarder Elon Musk, i cili ndërhyri në mënyrë të hapur në procesin zgjedhor gjerman, duke u rreshtuar pro partisë së ekstremit të djathtë AFD. Vështirë se mbahet mend një sulm më i organizuar dhe i hapur i një demokracie ndaj një vendi tjetër sovran e demokratik në prag të një procesi tejet delikat për të ardhmen e vendit.

E megjithatë AFD nuk mundi të marrë pushtetin. Në të kundërt, siç duket edhe nga presioni amerikan, ajo u skedua në 2 maj nga Zyra federale për Mbrojtjen e Kushtetutës si një parti ekstremiste. Një vendim që nuk u ndryshua edhe pas deklaratës së Sekretarit të Shtetit Rubio, se kjo ishte një “tirani e maskuar”, ndërsa zv.presidenti Vance u shpreh se “Muri i Berlinit i ringrit”. Kaq i fortë ishte reagimi gjerman, sa këtë e ndjeu edhe Tesla me makinat e saj elektrike, shitjet e të cilave ranë në shifra 70-80 përqind në Gjermani dhe të gjitha vendet kryesore evropiane.

Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar të këtij viti i dha hov një fushate të vërtetë botërore të “ndreqjes së hesapeve” majtas-djathtas, në Evropë e Azi, me miq e armiq. Shpallja e linjës së re diplomatike të mosndërhyrjes (siç u pa me Gjermaninë, një sjellje e pjesshme e selektive), si dhe nisja e një lufte panbotërore me tarifat doganore, e futën Presidencën Trump në një sfidë që praktikisht përfshiu aleatë dhe kundërshtarë. Të gjithë bashkë nën goditjen e Donaldit që kërcënoi Groenlandën me pushtim, që ftoi Kanadanë të bëhet shteti i 51-të i SHBA, që deklaroi se Bashkimi Evropian u krijua “për të varrosur Amerikën”, që nisi një luftë tregëtare të paprecedent me Kinën dhe që kërcënoi me pushtim të Kanalit të Panamasë.

Hutimi ndërkombëtar përballë kësaj rrokopuje të papritur duket se ka zgjatur shumë pak. Pasi siç po provohet nga java në javë, Trump po has vështirësi të mëdha në aplikimin e kësaj epoke të re globale që kërkon t’u imponojë vendeve të tjera. Një muaj e gjysëm pas dy prillit, kur shpalli listën e tarifave reciproke me shtetet e treta, vetëm Britania e Madhe ka konkluduar një marrëveshje tragëtare me Uashingtonin. Kritikët e Trump thonë se vendet e tjera qëndrojnë në pritje se mos presidenti ndërron mendje, ndërkohë që Kina dhe BE tregohen të kujdesshme. Bisedimet e deritanishme japin shenja shtensionimi, por ende jo marrëveshje afatgjata.

Në planin politik revolucioni Trump duket se po prodhon të kundërtën e asaj që pritej. Jo një eksportim të modelit të ri amerikan dhe as të real-politikës apo strategjisë anti-sistem të cilat predikon doktrina e Donald Trump, por një thirrje nën armë e forcave të moderuara në të gjitha vendet kryesore, që po kërkojnë t’i bëhen pengesë rrëshqitjes që i kërcënon nën shembullin amerikan.

Dhe faktet janë të dukshme. Përveç zgjedhjeve gjermane e rumune, edhe Australia i dha në 3 maj sërish pushtetin partisë laburiste të Antoni Albanese, duke refuzuar opozitën e Peter Dutton, një politikan me qëndrime të ngjashme me Trump.

Shumë mijëra kilometra më në veri, rasti më i bujshëm i reagimit ndaj epokës trumpiste duket se është ai i Kanadasë, ku liberalët e majtë të Marc Carney arritën të mbajnë në opozitë edhe për katër vite Pierre Polievre, një opozitar që përdori gjatë fushatës një pjesë të tezave të Trump. Agresioni i fortë diplomatik i Trump krijoi shanset që edhe një parti në pushtet e diskretituar, si ajo Liberale, të fitojë papritur në zgjedhje. Sepse me poshtërimin që i kishte bërë thuajse çdo ditë kanadezëve, Trump ja doli të “krijojë” për herë të parë në historinë moderne të vendit, një materie deri tani ta panjohur në Kanada: nacionalizmin kanadez!

Ndërkohë ngjitur me Kanadanë, në 11 mars ishulli më i madh i botës Groenlanda, tregoi me votën e 55 mijë banorëve të tij se nuk e dëshëron bashkimin me SHBA. Në zgjedhje fituan demokratët, të cilët janë më të afërt me Danimarkën dhe nuk e duan pavarësinë e plotë nga vendi evropian.

Paralelisht me këto ngjarje, paradoksalisht e djathta ekstremiste evropiane ndjehet sot që Trump është në pushtet, më e dobët se dje kur ai s’kishte ardhur ende në Shtëpinë e Bardhë. Marine Le Pen, politikania franceze që është simboli i të djathtës ksenofobe jo vetëm në vendin e saj, e gjen veten me një dënim nga gjykatat vendase, që mund ta pengojë të garojë në zgjedhjet e 2027. Edhe kryeministra të afërt me Trump si Viktor Orban, po ndjejnë izolim brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Brukseli po mendon të anashkalojë politikën e vetos që Hungaria, Sllovakia e ndonjë vend tjetër përdorin për të bllokuar vendimmarrjet sensitive të BE.

Në listën e këtij rizgjimi duket se futet edhe vendi ynë, me peshën e tij modeste në këtë përballje globale. Fushata në Shqipëri ka qenë e përqëndruar fort tek karta Trump dhe njerëzit që e sollën atë në zgjedhjet shqiptare. Prania e Chris Lacivita në kampin opozitar dhe kontrata 6 milion dollarë me një kompani lobimi pranë stafit të Trump dhe Rubio, jo vetëm që i dha opozitës një hov drejt spektrit të tezave që përdor sot Donald Trump. Këto dy blerje brenda rrethit të ngushtë të Presidentit sollën në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri edhe fjalorin që përdor sot ky mjedis politik, edhe sjelljet që aplikon ai sot SHBA me palët e treta, pa harruar premtimin për të zbatuar këtu tek ne shumëçka nga ato që sot Uashingtoni po zbaton në planin e brendshëm.

Fatmirësisht kjo “ethe” e importuar ra zhurmshëm me votën e shqiptarëve. Lacivita dhe kompania “Continental Strategy” do i marrin honoraret e majme që kanë nënshkruar me PD e Berishën, por projekti i tyre për të sjellë në pushtet në Shqipëri një të djathtë-satelit të linjës Trump, dështoi. Mesa duket bota po fillon të kërkojë dhe të gjejë gradualisht antitrupat ndaj asaj që shihet sot si përmbysja më e madhe gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit. Dikush, me mendje dhe vështrim të hollë, fut në këtë rizgjim edhe zgjedhjen e Papës Leoni i 14-të. Për arsye të kuptueshme…