Pas zgjedhjeve të 11 majit, brenda Partisë Demokratike duket se ka nisur një krisje e fortë mes kandidatëve të listës së hapur në qarkun e Tiranës. Ilir Alimehmeti, një nga kandidatët më të votuar të PD-së, ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke kërkuar rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave në të gjithë qarkun.

Në dokumentin e dorëzuar pranë KQZ-së, Alimehmeti pretendon se në procesin e numërimit janë evidentuar parregullsi që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Ai thekson se vetëm në një qendër votimi (QV 1834/00), 27 vota preferenciale që i përkisnin atij, janë regjistruar në favor të një kandidati tjetër, ndërkohë që në tabelën përmbledhëse për të rezulton “0 vota”.

“Duke pasur parasysh që subjekti ynë ‘PD-ASHM’ ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, pasi diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara është rreth 1.2%. Vetëm ky rast mjafton për të vënë në pikëpyetje integritetin e procesit”, shkruan Alimehmeti në ankesën e tij.

Pas tij, edhe dy kandidatë të tjerë të listës së PD-së, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, kanë paraqitur kërkesa të ngjashme pranë KAS-it. Hoxha thotë se nga verifikimi i pamjeve filmike të siguruara nga KQZ, është konstatuar se disa vota preferenciale që i përkisnin atij, janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër. “Ky fenomen është konstatuar në disa kuti votimi dhe mund të ketë ndikuar në tjetërsimin e rezultatit”, thuhet në kërkesën e tij.

Ndërkohë, Hajdarmataj ka listuar disa qendra votimi ku sipas saj ka mospërputhje midis rezultatit të vëzhguar dhe atij të miratuar nga KQZ. Ajo thekson se “këto dhe shumë qendra të tjera krijojnë bindjen se numërimi ka pasur problematika serioze në të gjithë qarkun e Tiranës”.

Tre ankimet e kandidatëve të PD-së hedhin dritë mbi një tension të brendshëm që po thellohet në këtë forcë politike, me pasojat që mund të reflektohen në përfaqësimin përfundimtar të partisë në Kuvend. Kërkesat janë në pritje të shqyrtimit nga ana e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.