Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mori pjesë këtë të dielë në Meshën inauguruese të Papa Leo XIV.
Pas Meshës inauguruese, Zelensky i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Olena Zelenska, u takua privatisht me Papën e ri, disa ditë pasi Leo shprehu dëshirën për të ndihmuar në përfundimin e luftës me Rusinë.
Takimi u zhvillua pasi Papa i sapozgjedhur ofroi të premten të organizonte bisedime midis Ukrainës dhe Rusisë në Vatikan, duke thënë do të bënte çdo përpjekje që paqja të mbizotëronte në Ukrainë.
“Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme të ndihmojë në bashkimin e armiqve, ballë për ballë, për të folur me njëri-tjetrin”, shtoi Leo.
“Ukraina e martirizuar pret negociata për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Leo në fund të shërbesës, duke përsëritur gjuhën e përdorur nga paraardhësi i tij, Papa Françesku.
Zelensky falënderoi Papën për “fjalët e tij të veçanta”, duke thënë në një postim në mediat sociale se “çdo komb meriton të jetojë në paqe dhe siguri”.
Pas takimit me Papa Leon, Zelensky falënderoi gjithashtu Vatikanin “për gatishmërinë e tij për të shërbyer si një platformë për negociata të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë”.
“Selia e Shenjtë mund të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e luftës për shkak të zërit dhe autoritetit të saj”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Nga ana e tij sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Vatikani mund të jetë një vend për negociatat e paqes Rusi-Ukrainë, por as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë treguar nëse do ta pranojnë ofertën e Papës.
Të dielën, Rubio mori pjesë në Meshën e përurimit, ashtu si edhe zëvendëspresidenti JD Vance.