Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me përplasjet mes grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit, ku në qendër të hetimeve janë tre emra të njohur, Suel Çela, vëllezërit Çopja dhe Erion Alibej.

Gazetarja Aida Topalli ka thënë për Report Tv se protagonistët e ngjarjes kanë qenë miq të vjetër në fëmijëri, ku ka degraduar më vonë në një sërë ngjarjesh kriminale të rënda, përfshirë edhe atentatin e trefishtë në 2018-n.

“Ata kanë qenë shokë të ngushtë, janë rritur së bashku pothuajse në të njëjtën lagje, në lagjen e Kalasë në Elbasan,” ka thënë Topalli.

Më tej, Topalli ka dhënë detaje të reja referuar edhe dëshmisë së Alibejt sot në gjykatë.

“Në dëshminë e dhënë përpara Gjykatës së Posaçme, Erion Alibej ka treguar se rreth viteve 2006–2010, vëllai i tij kishte emigruar në vendet e BE-së, kryesisht në Holandë, ku ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme. “Vëllai im nuk ka pasur asnjëherë një punë të ndershme jashtë shtetit,” ka vijuar gazetarja.

Gazetarja thotë se Alibej ka shkuar në Itali për të marrë ilaçet e nënës së sëmurë.

“Nuk jam përfshirë asnjëherë në aktivitetet e babait tim. Ai na la të vegjël dhe unë jam kujdesur për nënën. Shkova në Itali për të blerë ilaçet e nënës.” – tha Alibej.