Nga Hermes Kafexhiu 

Nga analiza e deklaratave të fundit të Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, mbi drejtimet që duhet të ndjekë prokuroria dhe veçanërisht SPAK-u, na detyron të ngremë një pikëpyetje të madhe dhe të guximshme:

A është Altin Dumani në krye të një strukture të pavarur, apo është kthyer në një “perandori” personale të pakontrollueshme që i shmanget transparencës, llogaridhënies dhe ligjit?

Përgjigjja që fillon të artikulohet gjithnjë e më shumë, si brenda sistemit të drejtësisë, ashtu edhe në opinionin publik, është:

SPAK nën drejtimin e Dumanit nuk po funksionon si një strukturë e reformuar, por si një bunker autoritar që ka vendosur ta quajë veten “i pakontrollueshëm” përballë çdo forme legjitime të mbikëqyrjes dhe analizës institucionale.

  1. Pse po kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut? Sepse SPAK po i shkel ato

Kur Ministria e Drejtësisë ndjen nevojën të theksojë publikisht se hetimet duhet të jenë të paanshme, që masa e sigurisë të mos përdoret në mënyrë abuzive, që të shmangen vonesat dhe të respektohet prezumimi i pafajësisë, kjo është një akuzë e heshtur por e rëndë ndaj SPAK-ut dhe drejtuesit të tij. E drejta për një hetim të drejtë nuk është privilegj, është bazë e shtetit ligjor. Dhe nëse SPAK ka nevojë të kujtohet për këtë, atëherë është prova më e qartë se Altin Dumani nuk po kontrollon pushtetin që i është dhënë me drejtësi, por po e përdor për spektakël publik dhe për qëllime selektive.

Edhe ne nuk mund të themi se Manja apo institucioni tij po e kërkon këtë për ata të akuzuar që më parë kanë përfaqësuar forcën e tij politike, sepse kjo përfshin dhe ata që janë kundra Manjës dhe forcës së tij politike. Megjithatë Manja, nuk njeriu që vendos dhe mbivendos këtë çështje. Manja është thjesht një institucion që po përcjellë disa rekomandime të cilat kanë dal në pah edhe më shumë kohët e fundit.

  1. Lufta kundër korrupsionit nuk është propagandë, është rezultat dhe këtu SPAK ka dështuar

A janë goditur realisht strukturat e korrupsionit të nivelit të lartë? Apo jemi përballë një drejtësie të telekomanduar që zgjedh kë godet dhe kë harron? Kërkesa për hetime financiare më të thelluara, për ndjekje më efektive penale dhe për forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar është një shuplakë për një SPAK që është kthyer në zyrë hetimore të rastësisë dhe të aleancave të padeklaruara politike.

  1. Ku është llogaridhënia për SPAK-un? Pse frikësohet Dumani nga transparenca?

Ministri kërkon forcimin e mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe rritjen e transparencës për qytetarët. Kjo përbën një tjetër akt akuze të heshtur, SPAK është bërë strukturë e mbyllur. Çdo ankesë ndaj sjelljes së papërshtatshme të prokurorëve shpërfillet ose groposet. Ku është zëri i drejtuesit të SPAK kur prokurorët sulmojnë njerëz pa prova, me bujë mediatike dhe pa pasojë ligjore?

Altin Dumani ka ndërtuar një mur heshtjeje që i shërben vetëm një drejtësie selective.

  1. Investimi në teknologji dhe trajnime domosdoshmëri që SPAK e ka anashkaluar

Kërkesa për ngritje kapacitetesh, struktura të specializuara dhe përdorim të inteligjencës artificiale nuk është rekomandim abstrakt. Është sinjal i qartë se SPAK po funksionon me mendësi hetimore të vjetra, me metoda të konsumuara dhe pa vizion të qartë për përballjen me kriminalitetin e sofistikuar. A është Altin Dumani pengesë për modernizimin e kësaj strukture? Pyetje që nuk ka më luksin të mos shtrohet.

  1. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, SPAK nuk mund të jetë i veçuar

Vetë ministri ka pohuar se bashkëpunimi i SPAK me institucionet e tjera është “i kënaqshëm”, por jo strategjik. Nuk mjafton të kesh marrëdhënie formale, kur mungon vizioni për një strategji të përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, Dumani ka dështuar të ndërtojë ura. Ai ka preferuar të ndërtojë kulla.

Altin Dumani duhet të kontrollohet. Jo për të frenuar drejtësinë por për ta rikthyer atë te drejtësia.

Pushteti që nuk kontrollohet, bëhet abuziv. Pushteti që nuk llogaritet, bëhet i rrezikshëm. Dhe një drejtues i SPAK që beson se nuk i jep llogari askujt, është kthyer në një problem të vetë drejtësisë. Nuk ka drejtësi të re me logjikën e vjetër të të fortit të institucionit. Nuk ka SPAK të besueshëm, kur kreu i tij refuzon transparencën, injoron kritikat dhe ndërton kult personaliteti mbi një strukturë që i përket publikut, jo vetëdijes së tij personale.

Kontrolli mbi SPAK nuk është ndërhyrje politike. Është akt demokratik. Është e vetmja mënyrë për të garantuar se drejtësia nuk do të shndërrohet në një shfaqje ku spektatorët janë qytetarët dhe regjisor është vetëm një, Altin Dumani.