Kryetari i PD po përdor të gjitha mënyrat dhe mjetet për të bindur mbështetësit e vet demokratë në alibinë e tij, se Edi Rama nuk i ka fituar por i ka vjedhur votat. Përmes manipulimit.

Pavarësisht se nuk është e vogël diferenca e votave, mes PS fituese e koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”, mazhoranca është plot 320 mijë vota më shumë se sa opozita, Berisha po kërkon ‘shtigje’ të reja për të mos njohur zgjedhjet e 11 majit. “Shtigje” të reja me metodat e njejta që ka përdorur në të gjitha herët kur ka humbur zgjedhjet po themi!

Dhe nuk ndalet në kërkimin e alibive për humbjen rrënuese në zgjedhjet e 11 majit, duke akuzuar qeverinë, Edi Ramën, administratën, dhe këdo që i bie në mendje në ato momente kur është para kamerave. Kështu ka vijuar dhe këtë të premte në daljen e radhës para mediave. Por për habinë e të gjithëve Berisha është rikthyer në mënyrë të hapur, në habitatin e vet ku ka kaluar rininë dhe burrërimin si politikan, në epokën e komunizmit dhe babait të tij shpirtëror Enver Hoxha.

Në përpjekje për të treguar se Edi Rama është kaq i ‘zi’ sa s’ka asnjë krahasim me askënd për tjetërsimin e votës, Berisha kujton me të gjithë nostalgjinë e mundshme kohën e komunizmit dhe vlerëson maksimalisht menaxhimin e zgjedhjeve nga regjimi totalitar i Enver Hoxhës, ku me detyrimi votohej në masën 100 përqind. Me hir apo pahir, duke të dërguar kutinë dhe në majën më të lartë të malit. Ishte strategji e komunizmit për të treguar se mbështetja për PPSH ishte absolute.

Berisha e kujton me nostalgji këtë kohë, që për të kishte lezet, teksa shihej angazhimi i tërë shtetit komunist për të votuar qytetarët e saj. Për të votuar për PPSH, teserën e të cilës Berisha e ka mbajtur me devotshmëri të plotë për 25 vite me radhë. Ndërsa mësimet e saj, në invers i zbatoi për 35 vite pos-komunizëm duke u punuar qindin shqiptarëve. Me të gjitha mënyrat! Ndoshta teksa flet, mund ta imagjinojë veten dhe anëtar të Byrosë Politike të PPSH, apo ministër të Enverit. Pasi u zbuluan dokumente se ishte propozuar si i tillë asokohe nga partia.

Më konkretisht, kreu i PD në daljen e përditshme para mediave këtë të premte, iu rikthye dhe një herë kohëve të vjetra të rinisë së tij kontributore të fortë komuniste, teksa u shfaq nostalgjik në narrativën elektorale të asaj periudhe ‘të artë’ për të, duke i sjellë ngjarjet në kontekstin politik të ditëve të sotme, në raport për 11 majin, ditës së zgjedhjeve parlamentare.

Gjithçka nisi nga pyetje pa pretendime e gazetarëve, se pse mendonte se këto zgjedhje ishin farsë dhe se a dispononte prova PD për t’i cilësuar ato të pavlefshme e për të bindur qytetarët shqiptarë por dhe ndërkombëtarët se pretendimet e opozitës për manipulim nga qeveria të vullnetit të qytetarëve shqiptarë më 11 maj, qëndrojnë.

Dhe Berisha nuk zhgënjeu as këtë radhë. Në përpjekje për të akuzuar Ramën dhe për ta faktuar farsën elektorale të tij, Berisha mori si referencë për menaxhimin dhe administrimin zgjedhor, pikërisht periudhën e diktaturës komuniste. Atë që njeh më mirë që në rininë e hershme.

“E kuptoni ju çfarë pozicioni jam unë sot? Unë ndihem me i motivuar se askush pas këtyre zgjedhjeve, alternativa e vetme është të qëndrojmë para së gjithash dhe në po qëndrojmë.

Administrimi më i përsosur i zgjedhjeve bëhej vetëm në diktaturë, po, ishte perfekt. Ishin të sinqertë ata, flisnin vetëm për votim, votim. Se s’kishte garë, ishin të ndërgjegjshëm për atë ata. Por për administrimin ishin të përsosur ata. Me helikopter dhe ushtri, i çonin deri në pikat më të larta, i filmonin, që ja organizimi”, tha Berisha fjalë për fjalë, pa asnjë korrekturë.

Pra për Berishën kishin lezet zgjedhjet në komunizëm, kur shqiptarët vraponin që në pikë të sabahut për të mos u vonuar për të hedhur ‘kokrrën’ për Partinë, ndërkohë që në orën 10.00 të paradites deklarohej se votat ishin hedhur në masën 100 përqind për frontin demokratik dhe PPSH. Kishte dhe ndonjë rast kur ndonjë i ‘deklasuar’ nuk pranonte të votonte, se për të votuar kundër as që bëhej fjalë. Dhe përqindja shkonte në 99.999 përqind. Raste të rralla pasi masat ‘zbutëse’ bënin të veten, për t’i kthyer në rrugën e drejtë të partisë të gjithë të pabindurit e rrallë.

Pikërisht për këtë kohë i qan zemra Berishës, teksa vlerëson votimet në komunizëm, duke treguar se ‘vesi del me shpirtin’. Jo se nuk ka operuar sipas kësaj metodologjie komuniste vetë Berisha sa herë që ka organizuar vetë zgjedhje parlamentare apo vendore në Shqipëri, kur ka qënë president apo kryeministër i vendit.

Kujtojmë këtu zgjedhjet e 26 majit 1996, ku vende vende rezultati nuk arriti vetëm 100 përqind vota për kandidatët e PD, por në Kuçovë dhe Cërrik shkoi deri në 130 përqind në favor të kandidatëve të PD. Ndaj i kujtohen me nostalgji Berishës ‘kohët e arta’ të komunizmit, tashmë në pleqërinë e tij të thellë teksa drejton me shpirt nëpër dhëmbë PD-në, të cilën ka premtuar se si misionar që ëhstë tashmë do ta drejtojë deri në ditën e mbrame, të shkuarjes në amëshim. I kalon si nëpër filma koha e rinisë dhe burrërimit, kur votohej.

Dhe në këtë kontekst, na kujton disa raste të çuditshme dhe të pashpjegueshme shkencërisht që ndodhin nëpër botë dhe që mund t’i japin shpjegim rikthimit të shpeshtë të nostalgjisë tek Berrisha. Si ajo e një të moshuari, i cili në vend të gjuhës së nënës, teksa ishte në një moshë tepër të thyer, një mëngjes u zgjua dhe filloi të recitonte “Dhjatën e vjetër” në gjuhën e shuar aramike, të mijëra viteve më parë. Pa e ditur dhe pa u marrë asnjëherë me këtë gjuhë në jetën e tij.

Prandaj mos u habitni nëse do të shohim Berishën të ‘rikthejë’ shiritin e kujtesës sëprapthi dhe të fillojë të flasë jo më vetëm për të mirat e epokës së Enverit, por dhe për dashuritë e shuara para se të lindnin të kohës së rinisë së hershme, fëmijërinë e hershme, apo dëshmitë ndaj kolegëve të punës në spital dhe propozimet për internimin e tyre familjarisht.

Berisha ka halle, madje të shumëfishta, ku hallet e moshës tepër të thyer që të rikthen sërish në fëmijërinë e hershme, ‘kryqëzohen’ me hallet e tij dhe të familjes që kanë me drejtësinë e re ku janë nën hetim apo si të pandehur, dhe përballja me partnerët tanë ndërkombëtarë, ku sërish mbetet ‘non grata’ familjarisht në SHBA dhe Britani.

Halli hallit nuk i ngjan, ndaj mos ia vini re Berishës. Ai një ‘copë’ parti dhe një ‘copë’ grupi parlamentar donte, sa për t’i pasur si mburojë për të përballuar këto halle i do. Nuk bën asnjë dëm, pushtet PD me të në krye nuk fiton jo e jo, por Berisha nuk mund të ngrejë më as të djathtët shqiptarë për të bërë ndonjë zullum. E shumta që mund të bëjë është se mund të bllokojë ndonjë kryeqëzim rruge, por lodhet shpejt. Këtu do jemi, do ta shohim në kuvend si qengj në shtator.