Simone Inzaghi, në finalen e tij të dytë në tri vite, prezantoi finalen e Mynihut, e planifikuar për sonte në mbrëmje në “Allianz Arena”: “Jam mirë, është një ndjesi e mrekullueshme. Të luash një finale Champions-i është ëndërr, pas dy vitesh jemi sërish këtu. Finalja e dy viteve më parë mund të na ndihmojë në përgatitje, në mënyrën si duhet të arrijmë, por nuk duhet të bëhet fiksim”.

Para finales së Stambollit nuk ishit favoritë. Çfarë Interi ke në këtë moment?
Ndryshe nga dy vite më parë është përgatitja, mënyra si i jemi afruar finales këto ditë. Çdo ndeshje është histori më vete, kemi punuar në çdo detaj. Fatmirësisht, i kam të gjithë lojtarët të disponueshëm. Në 59 ndeshje të këtij sezoni, vetëm në tri raste i kam pasur të gjithë (23 lojtarët) në dispozicion, siç i kam sot. Kjo për një trajner është diçka shumë e mirë.

A mund të jetë kjo finale, mbyllja perfekte e një cikli?
Të hënën ose të martën do të flasim me presidentin, si gjithmonë për të mirën e Interit. Kjo finale është mëse e merituar, duke parë rrugëtimin tonë që nga ndeshja e parë në Manchester. Jemi këtu me shumë meritë, por na mungon hapi i fundit, ai më i rëndësishmi.

Luis Alberto ka thënë që je një trajner shumë i nënvlerësuar. A është edhe Interi i nënvlerësuar?
Luis Alberto është një lojtar i madh, që më ka dhënë shumë. Unë dhe Interi të nënvlerësuar? Nuk e di, këta djem më kanë dhënë shumë. Jemi krenarë që përfaqësojmë Interin në një finale që si lojtar e ëndërroja ta luaja, por nuk munda. Falë këtyre lojtarëve po e përjetoj tashmë dy herë si trajner.

Si ndryshon qasja kur ju konsiderojnë të barabartë? Dhe çfarë do të jetë gjëja e fundit që do t’iu thuash lojtarëve?
Nuk e di, do të varet nga ajo që do të më thotë zemra ime. Për pjesën tjetër, çdo ndeshje është histori më vete. Në fushë nuk luajnë buxheti apo rrogat, por lojtarë që e dinë se duhet t’i kushtojnë rëndësi çdo detaji. E dimë që finalet vendosen nga episodet. Dy vite më parë na konsideronin si jo favoritë, por në fushë treguam se luajtëm të barabartë dhe ndoshta e meritonim më shumë, edhe pse kishim përballë ekipin më të fortë në botë.

Si e keni menaxhuar aspektin psikologjik këtë javë, duke parë zërat dhe zhgënjimin në kampionat?
Aspekti psikologjik është i rëndësishëm, kemi punuar në mënyrën më të mirë, duke lënë mënjanë zhgënjimin. Të gjithë lojtarët janë në dispozicion, pastaj më takon mua të zgjedh. Gjithmonë kam ndonjë dyshim, siç ndodh në çdo ndeshje. Duhet të kemi vendosmërinë e duhur, jo fiksime për këtë finale.

Si është Pavard?
Pavard është mirë, ka bërë disa seanca të mira stërvitore. Nëse pas stërvitjes përfundimtare dhe zgjimit muskulor do të jetë mirë, do të luajë. Është një lojtar i rëndësishëm për ne, nëse tregon se është plotësisht i rikuperuar si këto ditë, do të jetë në fushë.

Krahasuar me dy vite më parë, fjala kyçe tani është ndërgjegjësimi. A do të shtoje ndonjë fjalë tjetër?
Vrap, agresivitet, qartësi. Mund të shtojmë shumë, do të duhet gjithçka për ta fituar një ndeshje të tillë, përfshirë detajet që po përpiqemi t’i përgatisim në mënyrën më të mirë, duke ditur se përballë kemi një skuadër shumë të fortë, me një trajner të madh, që e admiroj shumë si teknik dhe si njeri.

Mund të themi se Inzaghi ka përcaktuar një epokë tek Interi… Si mund ta ndryshojë kjo finale këtë vlerësim?
E dimë që sot është e rëndësishme, sepse ka një ndryshim të madh mes fitores dhe humbjes. E kemi përjetuar tashmë, në Champions, fatkeqësisht vetëm aspektin negativ. Në kampionat kemi fituar dhe humbur, djemtë dinë gjithçka që futbolli mund të të japë. Edhe unë kam kaluar nëpër këto si lojtar. Dëshira më e madhe është t’u japim tifozëve tanë një kënaqësi të madhe, dje i ndjemë pranë në qendrën stërvitore dhe nuk harrojmë dashurinë që na kanë dhënë. Edhe pse jo fizikisht, sot e gjithë ‘Curva Nord’ do të jetë me ne. E filluam punën në Manchester dhe duam ta përfundojmë së bashku këtu.

Si ndihesh, çfarë i kërkon vetes dhe lojtarëve për sot?
Vendosmëri, por jo fiksim. Duhet të jemi të lirë në mendje, e dimë si përgatiten ndeshje të tilla. Kemi kampionë bote, kampionë Europe. Sipas meje kemi ardhur në mënyrën më të mirë, sot ndeshja mund të varet nga episodet. Ne duhet të jemi të zotë t’i sjellim ato në anën tonë.

Ku është kufiri mes tensionit për të kurorëzuar një ëndërr dhe frikës për të mos ia dalë?
Duhet të hyjmë në fushë jo me fiksim, por me vendosmëri dhe dëshirë për ta fituar këtë ndeshje, duke ditur se përballë kemi një skuadër të fortë, të përgatitur, që ashtu si ne, do të dojë të fitojë. Do të luajmë me armët tona si gjithmonë, rrugëtimi që kemi bërë na jep shumë besim, por falë vrapit, vendosmërisë dhe agresivitetit kemi ardhur deri këtu dhe nuk duam të ndalemi. Djemtë do të japin maksimumin për këtë finale.