Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Austri ka nisur përgatitjen për aktivitetin e rëndësishëm që do të zhvillojë në bashkëpunim me Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë. Ky muze është më prestigjiozi në Europën Qendrore. “Kalorësi i Babunjës” do të prezantohet për herë të parë para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë. Aktiviteti do të organizohet më 13 maj 2025 në Vjenë.

Kalorësi i Babunjës, një vepër arti unike 2600 vjeçare e zbuluar në fshatin e Babunjës në Lushnjë, është një artefakt i çmuar arkeologjik i periudhës ilire dhe do të qëndrojë i ekspozuar në një prej sallave të muzeut nga data 13 maj deri në 31 korrik.

Njoftimi i ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj:

KALORËSI I BABUNJËS ERDHI NË VJENË

– Një ngjarje historike

– Njä çertifikatë 2600 vjeçare

– Një aktivitet ideuar dhe organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si dhe Muzeun e Historisë së Natyrës në Vjenë- më i famshmi në Europën Qendrore dhe atë Juglindore.

Nga data 13 Maj-31 Korrik 2025 në sallën e artë të muzeut

Me këtë rast, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, ka zhvilluar ditë më parë një takim me Prof. Dr. Skënder Gjinushin, Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky aktivitet, me një rëndësi të veçantë historike dhe shkencore, përfaqëson një moment krenarie kombëtare, pasi për herë të parë do të prezantohet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve të tjerë ndërkombëtarë një zbulim unik i arkeologjisë shqiptare.