Kandidati i listës së hapur të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave me një mesazh të fortë, ku shprehet se distancohet hapur nga fenomeni i shit-blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale në politikë. Kalaja lë të nënkuptohet një akuzë ndaj kandidatëve të tjerë në listën e PD-së së Durrësit.
Në një postim në rrjete sociale Kalaja thekson se fushatën e ka bërë me mjete modeste dhe pa asnjë lloj mbështetjeje të dyshimtë.
“Nuk kam pasur tutor votash nga pas, as njerëz me influenca të çuditshme politike, as orientim partie që të votohem me domosdo, as grupe kriminale, as trafikant votash dhe as media në dispozicion të fushatës.Votat e mia janë të pastra, e pranuar kjo publikisht edhe nga kundërshtari. Janë vota gjaku. Nuk kam blerë vota. Nuk kam premtuar asgjë në këmbim të votës.”-tha Kalaja.
Kalaja njofton se i ka kërkuar vetë SPAK që telefoni i tij të vendoset në përgjim për të dëshmuar pastërtinë e procesit dhe integritetin e tij personal.
“Kur të konstatohen shkelje, do i drejtojem Komisionit Qëndror të Zgjedhjve, për rinumërimin e votave, në KZAZ Krujë dhe KZAZ-ve të tjera në Qarkun Durrës. E kam marë përsipër, sepse ju kam dhënë fjalën kur më keni pyetur, nëse do e mbroja votën që do më jepnit! Më besoni që kjo nuk është betejë për mandat, por për dinjitet. Ju e dini se votat e mia janë të pastra, e pranuar kjo publikisht dhe nga kundërshtari. Janë vota gjaku. Unë nuk kam blerë vota. Nuk kam premtuar asgjë në këmbim të votës. Prandaj kam kërkuar nga SPAK, që telefoni im, me dëshirën time, të vendoset në përgjim. Nuk kam frikë.”-thotë Kalaja në statusin e tij.
Kalaja e përfundon statusin e tij duke falenderuar mbështetësit se do të vijojë betejën jo për një mandat, por për dinjitetin dhe për të treguar se në politikë ka ende vend për njerëz që nuk i nënshtrohen krimit dhe pazarit.
“Nuk kam pasur as media që të më mbulojë fushatën, por kisha të vërtetën. Kam një makinë, një grua, një atdhe… dhe një besim: se vota nuk blihet, fitohet!”-përfundon Kalaja.