Ukraina ka rrëzuar një avion luftarak rus Su-30 me një raketë të lëshuar nga një mjet ajror pa pilot (dron) me bazë në det, njoftoi sot shërbimi i inteligjencës GUR i ushtrisë ukrainase, rrëzimi i parë i tillë i një avioni luftarak nga një dron me bazë në det në botë.

Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, thuhet se avioni luftarak u rrëzua nga një njësi e inteligjencës ushtarake e quajtur Grupi 13 dje, të premten, mbi det pranë Novorossiysk, një qytet i madh portual rus në Detin e Zi.

Ukraina, e cila ka shumë më pak njerëz dhe armë sesa rivalja e saj më e madhe dhe më e pasur, Rusia, i është drejtuar luftës me dronë në ajër dhe në det për t’iu kundërpërgjigjur luftës që filloi më shumë se tre vjet më parë.

Dronët detarë të Ukrainës, të cilët janë shumë më të lirë dhe më të vegjël se anijet konvencionale, kanë shkaktuar kaos në flotën ruse të Detit të Zi.

Ukraina ka thënë se ka rrëzuar një helikopter ushtarak rus në dhjetor 2024 me një raketë të lëshuar nga një dron me bazë deti i këtij lloji.