Gjatë muajit maj, gratë dhe vajzat në Dibër mund t’i drejtohen spitalit rajonal për kryerjen e mamografive falas dhe pa rekomandimin e mjekut.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se “Dibra është ndalesa e radhës e nismës për kryerjen e mamografisë falas, pa sistem referimi, pranë spitalit rajonal.

Koçiu bëri të ditur se “në muajin prill, në spitalin rajonal Gjirokastër u realizuan rreth 100 mamografi falas, duke i dhënë çdo gruaje mundësinë për një kontroll të nevojshëm, për shëndetin dhe jetën e saj”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur ta shtrijë fushatën e saj sensibilizuese përveç tetorit, edhe gjatë muajve të tjerë të vitit. Kontrollet e rregullta janë thelbësore për luftën kundër kancerit të gjirit.