Ekipi mjekësor në Spitalin Memorial Fier, ka arritur që falë procedurës së trombektomisë, të bëjë një rikanalizim të plotë të enës së gjakut të bllokuar te një pacient 47 vjeç.
Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila e ka konsideruar këtë një rast suksesi të realizuar në Spitalin Memorial Fier.
Ministrja Koçiu shprehet se pacienti 47 vjeçar u paraqit në urgjencë vetëm 3 orë pas shfaqjes së simptomave me pamundësi për të folur dhe për të lëvizur anën e majtë të trupit, shenja tipike të një goditjeje në tru.
“Falë reagimit të menjëhershëm të ekipit mjekësor dhe realizimit të procedures se trombektomisë, u arrit rikanalizimi i plotë i enës së gjakut të bllokuar”, thotë Koçiu.
Sipas Koçiut, “vetëm dy ditë pas ndërhyrjes, pacienti la spitalin pa asnjë deficit motor dhe kthehet në shtëpi në gjendje të shkëlqyer”.
“Ky është një tjetër shembull i fuqisë që ka bashkëpunimi, teknologjia moderne dhe përkushtimi i mjekëve tanë për të shpëtuar jetë”, pohon Koçiu.