Alice Campello po kalon një periudhë të mirë si në aspektin professional, ashtu edhe në atë personal. Bashkëshortja e Alvaro Moratës ka dhënë një intervistë për revistën “Elle”, ku ka folur për punën dhe familjen e saj.

Influencuesja dhe sipërmarrësja theksoi se rritja e “Masqmai”, marka e saj e kozmetikës, vjen kryesisht falë faktit që “ekipi ndihet pjesë thelbësore e gjithçkaje, sepse e di që pa ata nuk do të isha këtu”.

Një pjesë e këmbënguljes dhe përkushtimit ka shkuar krah për krah me lidhjen e saj me futbollistin. “Alvaro më ka ndihmuar shumë, sidomos të besoj te vetja ime”, – tha Alice, që përfitoi nga intervista për të ndarë më shumë detaje rreth krizës së saj martesore.

“Ishte një periudhë e vështirë që më vuri në sprovë. Kur përballesh me diçka të tillë, vuan shumë, por gjithashtu zbulon një anë të vetes që nuk e dije se e kishe”, – rrëfeu Alice Campello, duke iu referuar periudhës së ndarjes me Alvaro Moratën në vitin 2024.

Duke pasur parasysh çfarë përjetoi, ajo thotë se ndjehet “shumë krenare” për mënyrën se si e menaxhoi situatën. Një nga aspektet më sfiduese ishte të kontrollonte reagimin e fëmijëve të tyre përballë një stuhie mediatike:

“Pa e ditur saktësisht çfarë po ndodhte, ata thoshin gjëra si ‘mami, je shumë e fortë’, ose ‘ti dhe babi e doni shumë njëri-tjetrin’. U përpoqa t’ua shpjegoja situatën duke u thënë se edhe ata ndonjëherë zihen, por prapë e duan njëri-tjetrin”.

Sot, Alice, e cila nuk ngurroi ta ndiqte Moratën në Turqi, është e qeshur dhe e sheh gjithçka me një sy tjetër. “E di kush jam dhe çfarë dashurie kam për Alvaron. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”, – theksoi ajo, duke siguruar se reja e errët e ka bërë të piqet shumë dhe ta shohë jetën ndryshe.

Ajo shtoi: “Jap gjithçka kur diçka është vërtet e rëndësishme për mua, veçanërisht kur bëhet fjalë për njerëzit që i dua më shumë. E kam fjalën për familjen time”.