Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha në një prononcim për mediat, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë masivisht për të shprehur vullnetin e tyre të lirë në këto zgjedhje.
Dredha tha se në orët e para të nisjes së procesit të votimit, ka pasur problematika të vogla me zhvillimin e procesit të votimit, por të cilat janë zgjidhur shumë shpejt.
“Sot tashmë pas një rrugëtimi të gjatë të të gjitha partive që kanë bërë po themi një fushatë dinjitoze, pas asnjë lloj aksesi dhe pa asnjë lloj problematike në qytetin tonë.
Shikojmë që dita ka nisur shumë mbarë dhe shumë mirë, përveç disa problematikave të vogla që janë shfaqur në orët e para të votimit, megjithatë janë zgjidhur të gjitha. Shpresoj që të shkojë kështu deri në fund.
Po bëj një thirrje edhe si kryetar bashki, por edhe si qytetar i Vlorës që të dalin të gjithë të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të ardhmen e tyre, të fëmijë të tyre, të qytetit tonë të Vlorë dhe padyshim të të gjithë Shqipërisë”, tha kryetari i Bashkisë së Vlorës.
Dredha u ndal dhe tek eventi i madh sportiv Giro d’Italia, e cila po mbahet këtë të dielë në Vlorë. Sipas krybashkiakut, KQZ-së deri më tani ka njoftuar që nuk do të ketë një shtyrje të orarit të procesit të votimit.
Megjithatë sipas Dredhës, kjo garë madhështore nuk do të pengojë qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre të lirë, për të votuar në këto zgjedhje parlamentare.
“Forca të gjithëve, sado që ne kemi dhe një problematike, apo një event tjetër që po ndodh në qytetin e Vlorës që nuk ndodh shpesh, ndodh një herë e në disa kohë që është Giro d’Italia, i kemi marrë masat dhe për atë. Shpresojmë që nuk event kaq i bukur të përmbyllet me sukses.
Nuk mund ta them di që reagimi i KQZ-së ka qenë dje që nuk do të ketë shtyrje, pra orari do të jetë siç ka qenë ora, 19:00, prandaj u bëjmë thirrje që të gjithëve që të dalin sa më shpejt me qëllim që të evitojnë pjesën e trafikut që do të krijohet nga Girod d’Italia”, përfundoi Dredha.