Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi kryeministër, Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët e Lezhës ku ka bërë një pasqyrë të investimeve dhe programin elektoral për mandatin e katërt qeverisës.
Ai u shpreh i bindur, ashtu sikurse e tregojnë edhe sondazhet që Partia Socialiste do fitojë e vetme zgjedhjet sërish dhe se partitë e vogla duken si LSI dikur.

“Ne jemi dhe do të jemi qeveria. Ne nuk mund t’i themi njerëzve do bëjmë kështu, do bëjmë ashtu, se ne e kemi në dorë. Do ta kemi në dorë prapë. Ata që s’kanë gjë në dorë, janë disa të tjerë. I keni parë ata të tjerët që vijnë vërdallë, thonë ne jemi e reja që po vjen, Shqipëria mundet. I keni parë? Ata mund të thonë çfarë të duan. Ata nuk do të kenë ndonjë gjë në dorë asnjëherë dhe nuk do ta gjeni kurrë a e bëjnë a se bëjnë, por për të ditur se çfarë do bëjnë ata, e keni një provë dhe për ata që janë këtu, që merren me bujqësi e dinë shumë mirë punën e farës. Këta janë fara e të ndjerës LSI.
E mbani mend ka qenë një farë bari të keq, që hapej me shpejtësi. Lloj-lloj janë ato. E mbani mend këtë që po them unë. Se grami është në punën e vet. LSI-në e mbani mend?! S’flas për gramin, flas për LSI-në. Ju kujtohet që ishte një LSI që hapej e hapej e hapej dhe që më ka tmerruar kur kam lexuar qelizat e kancerit sesi rriten. Qelizat e kancerit janë të vetmet qeliza që qelizën e kanë qëllim në vetvete kundër gjithë mbarëvajtjes së organizmit. Kështu janë. Këta janë një version tjetër. Janë version laik, nuk janë version fetar, në kuptimin, akoma nuk e kanë një shef kulti e të tjerë, por janë e njëjta gjë”, tha Rama.