Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti, Ilir Proda, ka shpërndarë një urdhër që kërkon nga të gjithë vartësit e tij të tregojnë kujdes të veçantë në lidhje me postimet që mund të përmbajnë qëndrime politike në rrjetet sociale.

Euronews Albania ka siguruar shkresën ku Proda i kujton se sipas ligjit, nëpunësve civilë u ndalohet të shprehin publikisht preferenca apo bindje politike, përfshirë edhe në platformat si “Facebook”, “Instagram”, “Twitter” dhe “Whatsapp”.

Ky urdhër është i lidhur me periudhën e fushatës elektorale dhe përfshin një ndryshim të rregullores së brendshme të Policisë së Shtetit për mbikëqyrjen e sjelljes së nëpunësve civilë. Kryepolici thekson gjithashtu zbatimin e ligjit për nëpunësin civil dhe vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vendimi erdhi pas pezullimit të një nën.komisari në Shkodër, i cili postoi një shkrim me përmbajtje politike në Facebook, ku ngrinte pyetjen: “A do dinë dukagjinasit të votojnë për vete më 11 maj 2025?”

Ky postim ka nxitur një hetim disiplinor ndaj tij.