Nga Hermes Kafexhiu
Nga gjithë dramat institucionale që ka prodhuar tranzicioni shqiptar, pak kanë qenë më fyese për inteligjencën e publikut dhe më të rrezikshme për shtetin ligjor sesa ajo që po ndodh sot në Gjykatën Kushtetuese, në rastin flagrant të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja. Ky nuk është më një debat për kalendarë, për rotacion apo për interpretim teorik të nenit përkatës të Kushtetutës. Kjo është një përplasje e drejtpërdrejtë mes dy qasjeve diametralisht të kundërta për drejtësinë: njëra kërkon rregull dhe ligj, tjetra, zvarritje, fshehje dhe vetëmbrojtje.
Në njërën anë kemi Gjykatën e Lartë që me një gjuhë të pazakontë për një institucion të tillë, denoncon publikisht një proces që nuk është as gjyqësor dhe as kushtetues, por një farsë procedurale që i shërben një qëllimi të vetëm, mosmarrjes së një vendimi. Në anën tjetër, kemi një Gjykatë Kushtetuese që, në vend që të përmbushë detyrën e saj si arbitri suprem i Kushtetutës, ka zgjedhur të sillet si një trupë që mbron vetveten nga përgjegjësia, duke shpikur “mosmarrëveshje kompetencash” aty ku nuk ka asnjë kompetencë që përplaset.
Fakti është i thjeshtë, mandati i gjyqtares Bejtja përfundon sipas skemës së përtëritjes në vitin 2025. Presidenti i Republikës, si një nga tre organet e emërtesës, i kërkon Kushtetueses të deklarojë përfundimin e këtij mandati. Dhe çfarë ndodh? Gjykata Kushtetuese, me një veprim që shkon përtej arrogancës institucionale, refuzon të përgjigjet për objektin e kërkesës dhe e shndërron çështjen në një gjykim me palë të treta, duke e trajtuar si konflikt kompetencash.
Kjo është një lojë. Dhe nuk është e paqëllimshme.
Ajo që po ndodh është tentativë për të shtyrë pa afat marrjen e një vendimi që është thjesht teknik. Sepse me këtë shtyrje, me këtë heshtje, me këtë mjegullim procedurash, krijohet vakum institucional. Dhe në këtë vakum, përfiton jo vetëm individi i përfshirë, por edhe çdo precedent i ardhshëm që do të kërkojë të kapë drejtësinë me mjete formale.
Është e turpshme që, në vend që të marrë përgjegjësinë për të garantuar funksionimin e skemës kushtetuese të rotacionit të anëtarëve, Gjykata Kushtetuese dënon me heshtje të qëllimshme një parim të qartë të rendit kushtetues, përtëritjen çdo tre vjet të një të tretës së gjykatës. Dhe në vend që ta sqarojë këtë çështje, ajo thërret si “palë të interesuara” Gjykatën e Lartë dhe Kuvendin, të cilat nuk kanë asnjë rol në këtë rast specifik. Gjykata e Lartë e thotë troç, kjo është një përpjekje për ta deformuar procesin dhe për ta transformuar në një konflikt të rremë, vetëm që të mos merret vendimi real.
Këtu nuk kemi më të bëjmë me mosmarrëveshje juridike. Kemi të bëjmë me frikë për të marrë përgjegjësi. Dhe kjo frikë, në drejtësi, është më e rrezikshme se korrupsioni.
Gjykata Kushtetuese sot nuk po mbron Kushtetutën, por po mbron një status quo që ka nisur të kriset. Heshtja për mandatin e Bejtjes vjen pas një tjetër precedent të errët: rasti i gjyqtares Holta Zaçaj, e cila po ashtu tentoi të qëndrojë përtej afatit, deri sa Gjykata e Lartë ndërhyri për ta ndalur. Tani që situata po përsëritet, Gjykata Kushtetuese, në vend që të mësojë nga e shkuara, po zhytet edhe më thellë në absurditet institucional.
Kjo nuk është thjesht përplasje mes institucioneve. Kjo është një humbje e madhe për integritetin e sistemit të drejtësisë. Sepse një gjykatë që nuk është në gjendje të vendosë për një datë skadence të një mandati, si mund të ketë guximin të interpretojë Kushtetutën për çështje shumë më të ndërlikuara që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut?
Po i thuhet popullit shqiptar, me një gjuhë burokratike dhe të pafytyrë, që mandati i një gjyqtari është një çështje që mund të shtyhet pafund, mund të kthehet në proces, mund të zvarritet, mund të harrohet, vetëm që të mos preket ndokush brenda vetë strukturës. Dhe kur përballë kësaj, Gjykata e Lartë guxon të flasë, çfarë bën Gjykata Kushtetuese? Hesht, ose keqinterpreton qëllimisht.
Ky është momenti kur drejtësia shqiptare duhet të zgjedhë, ose të jetë gardiane e ligjit, ose të pranojë që është bërë gardiane e vetes.
Në këtë vend ku politika ka dështuar të ndalë arrogancën, ku Kuvendi hesht dhe fshihet pas procedurave, ku Presidenca bën letra që zvarriten me muaj, gjykatat janë i vetmi bastion që mund dhe duhet të funksionojë. Por nëse edhe ato degradojnë në manovra, vonesa, mosvendimmarrje dhe mbrojtje të ndërsjellë, atëherë nuk kemi më sistem drejtësie. Kemi një fasadë të zbrazët.
Gjykata Kushtetuese duhet të ndalet. Duhet të marrë vendim. Të deklarojë mbarimin e mandatit. Të veprojë sipas ligjit. Dhe nëse nuk ka kurajë për ta bërë këtë, atëherë të paktën të ketë kurajën të thotë: “Nuk jemi më të denjë për këtë rol”.
Sepse askush nuk ka të drejtë të abuzojë me Kushtetutën në emër të saj.
As edhe vetë Gjykata Kushtetuese./Lexo.al