Flamur Noka ka nxituar të ‘përkthejë’ raportin paraprak të OSBE/ODIHR duke cituar eurodeputetin gjerman Michael Gahler dhe duke përçuar një mesazh të rrezikshëm për imazhin e vendit në sytë e Bashkimit Evropian.

Duke theksuar deklaratën se “ky vend nuk do të futet në BE kështu siç është sot”, Noka jo vetëm që e përdor këtë konstatim për qëllime politike të brendshme, por edhe përforcon një narrativë negative ndaj progresit demokratik të Shqipërisë.

Në një kohë kur vendi është në një proces të ndjeshëm të integrimit evropian dhe çdo mesazh i keqinterpretuar mund të ndikojë në perceptimin ndërkombëtar, deklarata të tilla kontribuojnë në një klimë mosbesimi.

Përdorimi i deklaratave të eurodeputetëve për të legjitimuar akuza politike minon përpjekjet kombëtare për reformim dhe bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare. Më herët komisionerët e BE kanë kërkuar që PD të bëhet palë me Qeverinë në procesin e integrimit pasi kjo iu shërben shqiptarëve. Por mesa duket, PD do të vijojë rrugën e njollosjes së vendit në sytë e ndërkombëtarëve. (A.Rada)