Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës. Ajo vjen në kulmin e krizës politike që pason zgjedhjet e e 9 Shkurtit.
Pas seancës së kësaj të hëne kur parlamenti sërish dështoi të konstituohej, Ministri në detyrë i Financave të Kosovës nga radhët e LVV Hekuran Murati konfirmoi dërgimin e kësaj letre dhe kërkesën e Kurtit për koalicion qeverisës me Lumir Abdixhikun.

“I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku,
Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike.
Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në.
Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet behen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur te drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.
LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.
Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.
Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK.
Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?
Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe diskutojmë këto si politikanë të pjekur që kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo tjetër” thuhet në letrën e Kurtit.