Nga Ilir Yzeiri/
Jo se më parë nuk ka qenë i tillë, por, tani, sa vjen e më shumë, ky vend po humbet edhe ato pak parametra që e mbajnë një komunitet në këmbë dhe e ruajnë atmosferën publike nga ndotja e narrativave dhe nga ngjarjet e rënda.
Jehona e ditëve të majit, kur Shqipëria u kthye në kryeqytet të Europës, u shua shpejt, sepse, mbi ne nisi përsëri të hidhet si re e zezë e njëjta narrativë. Absurdi më i madh ishte se zgjedhjet e fundit çuan në Parlament një prokuror që u gjet nën breshërinë e plumbave pse ishte në makinë me Rumin e Shijakut, një të akuzuar për krime të rënda.
Një gjyqtar tjetër, Gjin Gjoni, që nuk iu nënshtrua vetingut, por u largua sepse media dhe agjenci të tjera zbuluan pasuri dhe abuzime skandaloze prej tij, është deputet dhe para tij do të raportojnë drejtuesit e SPAK.
Sali Berisha bëri deputet edhe mjekun që firmosi akt-ekseprtizën e vrasjes së Kosta Trebickës dhe gjatë gjithë fushatës shqiptarët u njohën me shifra të frikshme pagesash nga 6 million dollarë për lobim e për fushatë dhe SPAK nuk gjeti kohë dhe nuk ka gjetur kohë të hetojë për gjithë këto dyshime të arsyeshme, por, si për ta sfiduar Edi Ramën dhe pushtetin socialist që bënë si moto të fushatës shpatën e Altin Dumanit, ata, pra zyra e Altin Dumanit prodhuan një lajm tjetër të neveritshëm kundër Erion Veliajt për një apartament në të cilin jetojnë njerëz të tjerë dhe që është në pronësi të dikujt tjetër. Prova e re kundër Erion Veliajt se banesa afër tij duhet të jetë e Erionit është tallja më e madhe që po na bën Altin Dumani dhe prokurori famëkeq Olsi Dado.
Opinioni po vlon e po zien për vota dhe kandidatë të sponsorizuar nga krimi nga të gjitha palët politike, por SPAK jo vetëm që nuk ka ndërmend të ndërhyjë dhe të tregojë të vërtetën, por ka gjetur një mënyrë tjetër për të na treguar se është në ballë të luftës kundër krimit duke u fshehur pas aksioneve që bëjnë antimafia italiane dhe letërporosive që ajo dërgon për të arrestuar kriminelë në Shqipëri.
Nëse ka një gjë që duhet përshëndetur, ky është aksioni i sotëm i policisë së shtetit që arrestoi 6 persona të rrezikshëm në Gjirin e Lalsit, sapo mori informacion në rrugë operative. Hë për hë SPAK është i angazhuar me Olsi Dadon që të tallen me Edi Ramën e mazhorancën dhe t’u thonë atyre se ne do të bëjmë mbi ju atë që nuk ua kanë bërë të tjerët.
Mbajtja e Erion Veliajt në mënyrë skandaloze në izolim dhe alarmi që po vjen nga personazhe të rëndësishëm, siç ishte rasti i këshilltarit anglez të Bler, është një kambanë trishtimi që tregon se në këtë vend drejtësia e re është në dorë të pasioneve të këqija të njerëzve të lidhur me pushtetin okult të opozitës kriminale.