Pesë titullarë të KF Tiranës mund të largohen që në fillim të qershorit. Klubi duhet të mendojë për t’i zëvendësuar, sepse, në të kundërt, i mbeten vetëm lojtarët e akademisë.

Tirana mbylli një sezon me oshilacione, por nga ana tjetër ende nuk po vrapon që të mbajë të bashkuar skuadrën edhe për kampionatin e ri. Në këtë moment që flasim, janë pesë titullarë apo potencialisht të tillë, që duhet të rinovojnë me skuadrën bardheblu dhe janë në prag të largimit.

Bëhet fjalë për dy portierët Gentian Selmani e Leon Kozi, mbrojtësit Gledi Mici, Florjan Përgjoni, si dhe anësorin Rimal Haxhiu. Të pestë janë ose pa kontratë ose do të zhvillojnë bisedime për edhe një vit tjetër bardheblu. Një tjetër histori është ajo e afrimeve.

Bardheblutë duhet të vendosin nëse do të mbahen me lojtarët e huaj, siç bënë këtë sezon apo do të zgjedhin nga kampionati shqiptar. Fakt është se të huajt e këtij sezoni dështuan me sukses edhe te Tirana, çka duhet të vlerësohet me një analizë të qartë.