Pas 13 vitesh, 28 trofesh dhe një “Topi të Artë” të fituar, Luka Modric i jep lamtumirën Real Madridit. Mesfushori kroat 39-vjeçar do të zhvillojë edhe Kampionatin Botëror për Klube me “Los Blancos”, përpara se të nisë një fazë të re në karrierën e tij. Largimi i tij do të ketë pasoja të rëndësishme jo vetëm në fushë, por edhe në dhomën e zhveshjes së bardhë, ku Modric ishte figurë qendrore dhe simbol i epokës së lavdishme të madrilenëve.

Siç raporton “AS”, pas largimit të Modric, fanella ikonike me numrin 10 do të mbetet “pa pronar”. Një numër historikisht i dëshiruar nga lojtarët më të mëdhenj. Favoriti kryesor për ta trashëguar duket se është Kylian Mbappé, i cili tashmë e mban këtë numër te kombëtarja franceze dhe e ka luajtur sezonin e fundit me numrin 9, pas kalimit te “Los Blancos”.

Sidoqoftë, nuk është vetëm Mbappé, ai që e ka shënjestruar këtë fanellë. Edhe Jude Bellingham, aktualisht me numrin 5, të cilin e zgjodhi në nder të legjendës Zinedine Zidane, ka shfaqur dëshirën për të kaluar te “10”, në përpjekje për t’u afirmuar më tej si lider i ri i skuadrës madrilene.

Duke parë peshën dhe rëndësinë që ka numri 10 te Real Madridi, dueli mes Mbappé dhe Bellingham pritet të finalizohet me një vendim të rëndësishëm brenda klubit. Ndërkohë, për të rinjtë si Endrick apo Nico Paz, ideja për ta marrë këtë fanellë legjendare duket e pamundur në këtë moment, përballë dy yjeve të padiskutueshëm.