Aktori hollivudian Clint Eastwood feston plot 95 vjeç mes suksesesh të shumta në fushën e Kinemasë, shkruan britannica.com.
Clint Eastwood, i lindur më 31 maj 1930, në San Francisko, Kaliforni, SHBA, është një aktor amerikan filmash, i cili u shfaq si një nga yjet më të njohur të Hollivudit në vitet ‘60, i njohur për portretizimin e tij të individualistëve të ashpër.
Eastwood gjithashtu gjeti sukses si regjisor, duke fituar çmime Oscar për punën e tij në ‘’The Unforgiven’’ (1992) dhe ‘’Million Dollar Baby’’ (2004).
Eastwood i nxiti kolegët e tij të filmave të dalin me ide të reja ndërsa feston 95-vjetorin këtë fundjavë.
Regjisori fitues i çmimit Oskar, Eastwood, i tha gazetës austriake ‘’Kurier’’ se planifikonte të vazhdonte të punonte duke thënë se ishte ende në formë të mirë fizike dhe shpresonte se askush nuk do të duhej të shqetësohej për të në këtë drejtim.
Filmi më i fundit i Eastwood, drama ligjore “Juror#2”, u shfaq në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar dhe gazeta tha se ai ishte aktualisht në fazën e paraprodhimit për një film tjetër.
Kur u pyet për mendimin e tij mbi gjendjen aktuale të industrisë së filmit, ylli i filmave si “The Good, The Bad and The Ugly” dhe “Dirty Harry”, dhe regjisor i dhjetëra filmave përfshirë “Unforgiven” dhe “Million Dollar Baby”, tha se ‘’më mungojnë ditët e shkuara kur skenaristët shkruanin filma si ‘Casablanca’ dhe kur të gjithë kishin një ide të re”.
I pyetur se nga e merrte energjinë, Eastwood tha se ‘’nuk ka asnjë arsye pse një njeri të mos përmirësohet me kalimin e moshës. Dhe unë kam shumë më tepër përvojë sot.
Sigurisht, ka regjisorë që e humbasin ndjesinë e tyre në një moshë të caktuar, por unë nuk jam njëri prej tyre’’. /RTVORA/