– Ish-trajneri i Bayern Munich dhe Real Madrid, Jupp Heynckes, e ka bërë të qartë qëndrimin e tij mbi peizazhin aktual të futbollit, në një intervistë me Kicker për të shënuar 80-vjetorin e tij. ” Ka shumë ndeshje dhe interesi i madh për futbollin ka rënë”, thotë ish-trajneri gjerman.

Një problem që, sipas Heynckes, ka të bëjë me paratë e tepërta të shpenzuara për këtë sport. “Lojtarët fitojnë shuma marramendëse dhe klubet duhet t’i gjenerojnë paratë “, thotë ai.

Në fakt, vetë ish-trajneri ua hedh një pjesë të fajit stacioneve televizive, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e orareve të ndeshjeve, të cilat kontribuojnë në këtë mungesë interesi. “Futbolli është thjesht biznes; është televizioni që dikton oraret e pakëndshme të fillimit të ndeshjeve”, sqaron trajneri gjerman.

Në moshën gati 80 vjeç, të cilën e mbush këtë të premte, vetë Heynckes po vëren se është gjithnjë e më e nevojshme të jesh më selektiv në lidhje me ndeshjet që duhet të shikosh.

“Unë ndjek Bayernin, M’Gladbachun, Athletic Clubin, Real Madridin, FC Barcelonan dhe futbollin spanjol në përgjithësi, si dhe ndeshjet më të mira në Angli dhe Francë”, thotë ish-trajneri i Bayernit.

Një dilemë që çon në preferencën për të ndjekur hobi të tjera përveç shikimit të ndeshjeve të ligës gjermane. “Jam selektiv, i shikoj ndeshjet e mëdha, por ndonjëherë preferoj të shkoj në palestër në vend që të përqendrohem te Bundesliga”, rrëfen Heynckes.

Një nga figurat më të mëdha në futbollin gjerman, ai e jeton jetën larg stolit me lehtësi, por pa lënë pas dore skenën e futbollit. Një sport që i ka dhënë shumë gëzime dhe tituj, siç janë kampionatet e Ligës së Kampionëve me Real Madridin (1997-98) dhe Bayernin (2012-13) , ose kurorëzimin si trajneri më i mirë në botë në vitin 2012.