Ish-mbrojtësi i Interit dhe fitues i Kupës së Botës 2006 me Italinë e Marçelo Lipit, Marco Materaci flet për titullin e Serisë A. Në një prononcim për “Gazzetta dello Sport”, ai shprehet se për zikaltërit do të ishte dhuratë nga qielli nëse marrin kampionatin.
“Me një situatë të tillë, me dy ndeshje të mbetura, vetëm një gjë mund të thuhet me siguri, çdo gjë e mirë që mund të vijë për Interin, përkatësisht titulli, do të ishte si një dhuratë nga qielli. Që nuk do të thotë i pamerituar, por krejtësisht i papritur. Por në fakt kam një siguri tjetër, nëse rastësisht Napoli do të bënte një gabim dhe Interi do të merrte kampionatin, do të ishte një nxitje në prag të finales së Ligës së Kampioneve që është e pamundur të matet. Mund të them vetëm se shumë e fortë”, përfundoi ai.