Një tjetër zë i opozitës, ngre shqetësime për kontratën e lobimit në SHBA, nga Partia Demokratike. Ndërsa Berisha flet për nevojën sipas tij, që SHBA-të, të njihen me kauzat e drejta të opozitës, për ish ministrin e tij të drejtësisë Enkelejd Alibeajt është thjeshtë një përpjekje për të pastruar moralin politik.

“Para e madhe. Sigurisht që të flasësh për një para kaq të madhe në mes të fushatës, me idenë që po përfaqëson një popull të varfër, ka një kontradiktë të madhe. Me para nuk mund të blihet morali politik”, tha Alibeaj.

Berisha mbrëmë refuzoi ta konsiderojë kontratën, si të lidhur me zgjedhjet, ndonëse Flamur Noka ka fimrosur si përfaqësues i Aleancës për Shqipërinë Madhështore, një subjekt elektoral.

Kodi Zgjedhor dhe ligji për partitë politike, të cilit edhe vetë kreu i PD iu referua për të legjitimuar “donatorët” shqiptaro-amerikanë, detyron subjektet t’i publikojnë emrat e atyre që ofrojnë mbështetje financiare, por edhe kufizon shifrat, në kuota shumë herë më të vogla se lobimi i demokratëve në SHBA.

Kreu i “Djathtas për Zhvillim” sugjeron që financimet e huaja duhet të qartësohen në Kod.

“Sigurisht e drejta e tyre që kanë hedhur këto para apo që kërkojnë shërbimin e tyre, por kam përshtypjen që çështjet e financimeve të huaja apo financimet e palëve të treta, është një çështje që do duhet të adresohet diku në kodin zgjedhor.

Meqë Prokuroria ka nisur verifikimet, e udhës është që t’i lihet asaj që të vendosë për saktësinë apo korrektesën ligjore. Me para nuk mund të blihet morali politik.

Kjo është një gjë që duhet thënë, duhet injektuar te njerëzit, siç kemi bërë ne, pa asnjë financim, madje edhe në kundërshtim me kodin zgjedhor, por në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit”, tha Alibeaj.

Hijet e dyshimit mbi kontratën 6 mln dollarëshe ka vënë në lëvizje jo vetëm aktorët politikë, por edhe SPAK.

Më herët, kritika të ashpra patën për Berishën edhe forca të tjera jo-qeveritare. Teksa Berisha ia faturon lobimin kauzave opozitare, krerët e partive të opozitës, si Endri Shabani, Arlind Qorri apo Lulzim Basha e kanë akuzuar për përdorim të parave të korrupsionit për të pastruar non gratën e tij.