Nga Jakin Marena/
Lotët e zv.kryetares së komisionit zgjedhor në qarkun e Fierit pas rezultatit përfundimtar katastrofë për PD në zgjedhjeve të 11 majit, tregojnë në mënyrën më të qartë të mundshme dëshpërimin dhe humbjen e shpresës së demokratëve tek lidershipi i tyre.
Fytyra e saj, lotët e saj, duart e kryqëzuara dhe shkrehja më pas në vaj e kësaj gruaje, ishte personifikimi më i qartë se si demokratët u ndjenë të pafuqishëm që dhe në përballjen e katërt radhazi me socialistët, jo vetëm që nuk arritën fitoren por shënuan dhe humbjen më të thellë në tërë historikin e PD.
Portreti i kësaj demokrateje të thjeshtë dhe të ‘vdekur’ pas partisë, një e drejtë e saj legjitime, është dhe fotografia më e qartë se në PD përfundimisht ka vdekur shpresa që kjo parti të ringrihet dhe të bëhet siç ka qënë, konkurruese për të ardhur në pushtet.
Jo se demokratët kishin ndonjë shpresë për të ardhur në pushtet më 11 maj! Aspak. Nuk e besonin. Këtë e tregonte sjellja e lidershipit të PD në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit sidomos, që përkonte me një mungesë të theksuar fryme apo entuziasmi për një rezultat pozitiv, frymë që do të reflektohej dhe tek baza e partisë.
Gjithçka ishte fikur ende pa nisur, e bashkuar kjo mungesë fryme dhe me rezultatet e sondazheve të të gjitha krahëve që tregonin trendin e këtyre zgjedhjeve, për një rezultat jo vetëm humbës për opozitën, por për një humbje shumë të thellë të PD dhe të opozitës më 11 maj.
Padyshim që askush nuk e kishte imagjinuar se do të arrinte në këto përmasa humbja e PD. Në përmasa katastrofe mund të themi pa frikë. Madje dhe kreu i mazhorancës Edi Rama, ndonëse në “memorandumin’ e Kuçit kishte vënë një parashikim që përfshinte një gamë mbështetjeje nga 78 deri në 88 mandate, nuk kishte parashikuar se me rezultatin e 11 majit, PS e vetme, mund të ‘kërcënonte’ arritjen e shumicës së cilësuar me 84 vota, sikurse janë gjasat pas numërimit dhe të votës së diasporës.
Me publikimin e rezultatit katastrofik për PD, kreu i kësaj partie Sali Berisha nuk ka zhgënjyer me qëndrimin e tij. Ndonëse ka ‘duruar’ vetëm një ditë pas zgjedhjeve pa lëshuar për publikun akuzat e tij, si alibi për humbjen e thellë më 11 maj përballë Ramës, në ditën e martë ka dalë me zë dhe figurë dhe ka deklaruar se nuk i njeh zgjedhjet. Ka akuzuar socialistët se i kanë blerë, se i kanë vjedhur dhe kanë aktivizuar bandat afër pushtetit për të bërë presion për votën.
Ky është një ‘film’ i parë nga Berisha sa herë që ka humbur zgjedhjet. Dhe nuk ka humbur pak në këto 12 vitet e fundit. Pas zgjedhjeve gjithnjë me të njejtin fjalor ka folur, me të njejtat akuza dhe me të njejtat paralajmërime ndaj fituesit. Ai asnjëherë nuk ka humbur me mendjen e tij, dhe këtë radhë në realitetin e tij paralel, ai është fitues jo me 72 mandate për me 82 mandate. Duke akuzuar Ramën se i ka ‘vjedhur’ jo 1 apo 2 mandate, por plot 32 mandate deputeti.
Mendja e Berishës kjo. Dhe sikur t’ia marrësh deklaratat e bëra ndër vite pas çdo humbjeje fatale përballë kundërshtarit politik, të mos afishosh periudhën kur ka folur, por dhe të heqësh figurën për të mos bërë krahasimin e portretit, Berisha të njejtat gjëra ka deklaruar në vitin 2013, në vitin 2017, në vitin 2021 dhe këtë të martë pas zgjedhjeve të 11 majit. Nuk po fusim në llogari këtu humbjet në zgjedhjet për pushtetin vendor.
Edhe pas këtyre zgjedhjeve Berisha fajësoi qeverinë, liderin socialist Rama dhe ‘tradhëtarët’ brenda së djathtës për humbjen rrënuese në zgjedhje, duke paralajmëruar protestë me datën 16 maj, pikërisht në ditën dhe momentin kur liderët e vendeve të BE dhe të rajonit, janë në Tiranë, në samitin politik. Berisha gjithnjë ka qënë ‘partizan’ i prishjes së festës. Madje paralajmëron se revolucioni sapo ka nisur. Njëlloj si paraadhësi i tij që e dëboi nga drejtimi, Lulzim Basha, por pa arritur të bëjë ‘vezën’ e tij. Pasi më 2021 Basha i vetëm, pa LSI mori mbi 600 mijë vota për PD, me shumë se Berisha, Meta dhe tërë aleatët e PD bashkë më 11 maj.
Për të ‘fryrë’ alibinë e tij të humbjes dhe faktin që faji nuk është brenda PD për këtë rrënim të kësaj partie, Berisha nxjerr një nga një ‘kamikazët’ e tij politik që fajësojnë popullin që voton një ‘çyryk si Edi Rama dhe nuk frymëzohet nga Sali Berisha”. Nxjerr kandidatë humbës të PD që s’kanë marrë kokërr vote të deklarojnë se u vjen turp që janë nga jugu, apo Noka që akuzon popullin e tërë në Vorë, afër Gërdecit me një fjalë, mediat dhe të gjithë botën që e kanë lënë vetëm PD-në përballë atij që ai e quan narkoshtet të Edi Ramës. Vetëm Berisha dhe lidershipi i PD s’ka asnjë faj, sikur nuk kanë qënë në këtë planet tërë këtë kohë dhe që nga 1992. Madje janë të njejtat fytyra që vegjetojnë dhe ‘thithin’ palcën e mbetur të PD po për të vegjetuar në Kuvend.
Por humbja e thellë e PD në zgjedhjet e 11 majit ka një emër si përgjegjës kryesor, në mos një përgjegjës të vetëm. Ai është Sali Berisha, njeriu që për 35 vite e ka udhëhequr këtë parti me dorë të hekurt, pa e lëshuar asnjëherë nga dora. As kur ka qënë president, as kur ka qënë kryeministër, as kur ka qënë në opozitë dhe as kur ka qënë i ‘dorëhequr’ dhe zyrtarisht në krye të PD ishte Lulzim Basha.
Përdorimi i PD për hallin e tij personal, e rrënoi partinë e parë opozitare në Shqipëri dhe që ka qeverisur për 13 vite këtë vend, por që me ‘kontributin’ kryesor të Berishës është tashmë në mandatin e katërt në opozitë, dhe e tkurrur në atë farë feje, sa PD dhe opozita është në minimumin e vet historik. Gremisje që nuk po ndalet dhe në vijim me sa duket.
Që me shpalljen ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, më pas ‘non grata’ dhe nga Britania, por sidomos me përjashtimin e tij nga ana e Lulzim Bashës nga grupi parlamentar i PD dhe më pas nga vetë PD, Berisha ka punuar me mish e shpirt për të ndarë, shkatërruar dhe zotëruar ‘copën më të madhe’ të PD, vetëm për hallin e tij personal, atë të përballjes me drejtësinë për akuzat e e rënda që ka në kurriz si dhe izolimin e thellë ndërkombëtar.
U përball me Bashën në dyert e gjykatave për vulën dhe logon e PD të cilën përmes njerëzve të tij në drejtësi e mori, pavarësisht se kishte tentuar të marrë selinë e PD më 8 janar me një sulm banditesk me qysqi dhe varre e mjete të tjera rrethanore, ngjarje e paparë në historinë e partive politike shqiptare, të një ‘lufte civile’ brenda një partie siç kishte ndodhur në PD.
Falë dhe paaftësisë proverbiale të Bashës, Berisha ia doli e mori dhe pjesën më të madhe të deputetëve të PD kundërshtarë të tij me në krye Gaz Bardhin, i futi në grup dhe i përdori edhe ata për hallin e tij personal, të personifikuar në kërcimin viral nën ritmin e këngës për vetë Sali Berishën. Tundën ‘belin’ me një fjalë, që nga Bardhi e deri tek më i fundit, dhe pak nga ata që kishin kaluar nga Basha tek Berisha, arritën të futen në listat e sigurta të PD më 11 maj.
Përpëlitja e Jorida Tabakut apo dhe të tjerëve në ‘pragun’ e hyrjes në Kuvend e tregon se Berisha i përdori të gjithë për hallin e tij personal dhe as që e kishte mendjen tek një rezultat pozitiv në zgjedhje. Donte një grusht besnikësh të verbër në Kuvend dhe këtë ia arriti me listat e mbyllura.
Ndonëse mori një këshulltar amerikan që kishte organizuar fushatën e Trump, siç ishte Chris LaCivita, Berisha më shumë e paraqiti si përfaqësues të administratës së re amerikane se sa si strateg fushate, duke e keqpërdorur emrin e tij pafund. Me sa duket ia ka vlejtur për LaCivitën, pasi sipas gjasave ka pasur një kontratë të majme miliona dollarëshe, që me gjithë këmbënguljen e mediave, Berisha nuk ka preferuar ta zbardhë. Madje dhe kur e pyesnin për faturën e kësaj kontrate, Berishës nuk i ‘shkonte zëri’ në vesh.
“Vulën’ ia vuri kontrata 6 milionë dollarëshe e lobimit, me garant një elektricist tropojan me banim në SHBA, i vënë për heqjen e ‘non gratas”. Nuk kishte lidhje me zgjedhjet dhe fushatën zgjedhore të PD, por vetëm për pastrimin e njollës së Berishës dhe familjarëve të tij, me sa duket pa rezultat, pasi vijojnë të jenë zyrtarisht ‘non grata’ në SHBA. Pritet që të qëndrojnë pafund në këtë pozitë, pavarësisht miliona dollarëve që kanë hedhur dhe që mund të hedhin, madje dhe pë rnjë vizë në SHBA. Se mos i kanë lekët e veta, që të ‘rrudhin’ dorën në tani e në të ardhmen.
Ndikim në humbjen ‘astronomike’ të PD dhe opozitës ka dhënë dhe sjellja e rënduar e Berishës, i lodhur nga vitet e pleqërisë së thellë dhe i ngarkuar nga demenca e fortë, aq sa asnjëherë në deklarimet publike nuk ia ‘qëlloi’ datën e saktë të zgjedhjeve, jo më që të arrinte një artikulim të saktë për gjëra të tjera. Këto e plot të tjera që janë stërpërsëritur pafund, janë shkaqet e humbjes së thellë të PD. Me një fjalë me të njejtat fytyra, dhe me të njejtën strategji 35 vjeçare, Berisha kërkonte rezultat të ndryshëm më 11 maj 2025. E pamundur kjo, bota ka lëvizur.
Berishës nuk i ka faj as populli që nuk po e kupton dhe voton vetëm Ramën, as demokratët që janë të detyruar tashmë të qëndrojnë 16 vite të tjers në opozitë, as aleatët apo ish aleatët që u distancuan prej, as ‘narkoshteti’ i Edi Ramës për humbjen e thellë të PD.
Fajtori i vetëm për këtë humbje dhe degradim të PD është vetëm një, Sali Berisha. I cili pasi ka marrë peng PD-në, ka vendosur që ta rrënojë më tej, teksa po bën të gjitha përpjekjet dhe është i vendosur se do të qëndrojë në krye të PD deri sa ta marrë i Plotfuqishmi, i madhi Zot në amëshim. Këtë po bën, duke kërkuar njëherësh dhe alibitë e humbjes. Pavarësisht se PD është është pronë e tij, dhe e përdor kur dhe ku t’ia lypë nevoja.
Fundja Berisha i fituar është. Ka një ‘gardë’ deputetësh prej 50 vetësh, të cilët i përdor për hallin e tij personal. Të humbur janë demokratët që kanë mbetur brenda rrethit vicioz të halleve të Berishës, pa mundur të nxjerrin një lidership të ri dhe që deri tani nostalgjia i ka mbajtur në PD. Dhe shpresa se një ditë do të ringrihet PD. Si demokratja e Fierit, e cila e humbi këtë shpresë, duke u mbytur në lot para kemerave. Duke treguar dëshpërimin dhe mungesën e shpresës në PD që sa të jetë Berisha në krye, pra sa të rrojë ai në këtë botë, nuk do të qasen afër pushtetit. Kjo është drama e vërtetë tek PD dhe opozita, të cilës askush nuk i bën derman. Ndërkohë që të humbur janë dhe shqiptarët, të cilët praktikisht nuk kanë opozitë. Atë po e merr Berisha në varr.