Në prag të ndeshjes së fundit të sezonit në Ligue 1 kundër Auxerre, trajneri i Paris Saint Germain, Luis Enrique ka bërë një deklaratë të sinqertë në konferencën për shtyp, ku reflektoi mbi sezonin, por edhe foli për objektivat e ardhshëm dhe marrëdhënien me kolegun Carlo Ancelotti.
PSG tashmë e ka siguruar titullin kampion në Francë dhe është duke u përgatitur për sfidën më të madhe që e pret, finalen e Champions League më 31 maj ndaj Interit dhe finalen e Kupës së Francës më 24 maj ndaj Reims.
“Është koha për të festuar me tifozët tanë”, tha Enrique, duke nënvizuar se ndeshja ndaj Auxerre do të shërbejë si përgatitje serioze për duelet vendimtare të sezonit.
Trajneri spanjoll nuk e la pa komentuar edhe emërimin e Carlo Ancelottit në krye të kombëtares së Brazilit, duke shprehur respekt të madh për karrierën e italianit.
“Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë një trajner me një karrierë të ngjashme me atë të Ancelottit. Ai është një person i shkëlqyer brenda dhe jashtë fushës”, tregoi ai.
Enrique nuk ngurroi të shtonte se nuk i uron sukses Ancelottit me Brazilin, për një arsye të thjeshtë.
“Natyrisht, nuk i uroj sukses as Brazilit dhe as Ancelottit, sepse dua që ekipi im kombëtar, Spanja, të ketë sukses”, tregoi trajneri i PSG-së.
Luis Enrique konfirmoi se skuadra e tij është në formën më të mirë të sezonit dhe se po përgatitet intensivisht për të mbyllur vitin me triumf në të gjitha frontet.